Asnjë sulmues i Zvicrës nuk ka realizuar gola sa Kemal Ademi këtë edicion. Ademi ende nuk ka vendosur përfundimisht se për cilën përfaqësuese do të luajë, por gazeta e madhe zvicerane “Blick”, ka lënë të kuptohet se ai do të zgjedhë Zvicrën.
Ademi 23-vjeçar, është me prejardhje nga Kosova, është i lindur në Gjermani dhe i rritur në Zvicër. Aktualisht po luan për Baselin dhe po shfaqet me shumë sukses. Ka shënuar 10 gola në 22 paraqitje zyrtare në këtë edicion me skuadrën zvicerane, shkruan Koha Ditore.
Ai ka pasaportë zvicerane, por nuk e ka ende të drejtën të luajë për Zvicrën. Sipas “Blick”, shtatlarti do të mund të ishte lojtar i rëndësishëm i Zvicrës në Evropianin e këtij viti. Përgjegjësit në Federatën zvicerane ka kohë që po e përcjellin Ademin. Sipas “Blick”, ai tashmë do të ishte duke luajtur për Zvicrën sikur të mos kishte telashe me dokumentacion.
Ademi nga mosha gjashtëvjeçare jeton në Zvicër, por ka lindur në Gjermani dhe disa vite i ka kaluar në Kosovë.
“Ndonëse ka pasaportë zvicerane, FIFA-s duhet t’i dëshmohet që është zviceran. Është si për brazilianët e natyralizuar nga Katari”, ka thënë për “Blick”, Renato Cedrola, këshilltar i Ademit. Ai është i bindur se Ademi së shpejti do të fitojë të drejtën nga FIFA që të luajë për Zvicrën.
Sipas “Blick”, dokumentacioni i 23-vjeçarit do të kompletohet para Evropianit. Federata gjermane ka dhënë pajtimin, ndërsa Ademi dhe Federata zvicerane po presin pajtimin nga Kosova..