Juventusi dhe Paul Pogba do t’i kërkojnë kompanisë shumëkombëshe të veshmbathjeve “Adidas”, t’i ndihmojë mesfushorit francez të largohet nga Manchester Unitedi.
Gazeta italiane Corriere dello Sport dhe Sky Sport Italia pohojnë se sponsorët e Pogbas mund të luajnë një rol kyç në transferimin e mesfushorit në Juventus këtë verë.
Ai ka kontratë me Manchester Unitedin deri në vitin 2021 dhe ka pagë vjetore prej 15 milionë euro, por ai është duke bërë përpjekje të mëdha për t’u larguar nga Old Trafford.
Sipas mediave italiane, Pogba dhe Juve do t’i kërkojnë ndihmë Adidasit – kompanisë e cila e ka një kontratë masive në vlerë 408 milionë euro deri në qershor të vitit 2027 me bardhezinjtë – për t’i bashkuar ata këtë verë.
Por, për Juven do të jetë tejet e vështirë ta arrijë këtë, veçanërisht nëse do ta blejë Matthijs de Ligt nga Ajaxi për 70 milionë euro dhe t’i ofrojë atij pagë vjetore 12 milionë euro.
Në anën tjetër, Unitedi i kërkon 150 milionë euro për ta lënë Pogban të largohet, pasi fituesi i Kupës së Botës me Francën kërkohet edhe nga Real Madridi.