“Në nëntëmujorin janar-shtator 2018, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, i ka realizuar lëndët si të përfunduara me një përqindje të kënaqshme prej 96 për qind. Po ashtu, përmes riorganizimit të brendshëm është arritur të evitohet bredhja e qytetarëve prej një sporteli në sportelin tjetër”.
Kështu ka thënë sot në një konferencë me gazetarë drejtori i Administratës, Bardhyl Syla, duke shtuar se në fokus të veçantë ka qenë ngritja e nivelit të përformancës për shërbime sa më cilësore, efikase dhe sa më transparente në raport me qytetarët.
“Kemi bërë riorganizim të brendshëm dhe jemi në konsolidim të mëtutjeshëm të sektorit të Gjendjes Civile në aspektin e zbatimit të detyrave punuese nga zyrtarët, duke krijuar lehtësira teknike administrative gjatë kryerjes së shërbimeve ndaj qytetarëve. Me këtë riorganizim kemi arritur të evitojmë bredhjen e qytetarëve prej një sporteli në sportelin tjetër”, ka thënë Syla.
I pari i Adrministratës në Gjilan pohoi se ka rënie të kilometrave të kaluara të automjeteve të Komunës si dhe shpenzimeve në karburante në krahasim me vitin 2017.
“Gjatë vitit 2017, kilometra të kaluara, kanë qenë 206 mijë e 232 kilometra, krahasuar me nëntëmujorin e këtij vitit me 164 mijë 861 kilometra, që i bie 41 mijë 371 më pak kilometra të kaluara”, është shprehur Syla.
Syla ka njoftuar se gjatë këtij nëntë mujori, në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, është funksionalizuar sistemi ueb sms, është funksionalizuar aplikimi i sistemit elektronik online për t’u pajisur me nëntë lloje të dokumenteve të gjendjes civile, derisa është arritur të sigurohet informatori për qytetarët në ueb faqen e Komunës gjegjësisht në linkun e Drejtorisë për Administratë e Përgjithshme.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë lansuar 800 copë broshura sensibilizuese për qytetarët, për të gjitha llojet e dokumenteve të gjendjes civile, sikurse që është arritur të sigurohet kontrata ndërmjet Komunës dhe operatorit ekonomik për mirëmbajtjen e infrastrukturës teknologjike, jo vetëm në Drejtorinë e Administratës, por edhe në nivel Komune.