Të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 Dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve vetëm deri më 01 Shtator 2017.
ATK ka identifikuar të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera dhe që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike, për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008.
Nga falja e borxheve publike për periudhën deri 31 Dhjetor 2008, sipas këtij Ligji përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj ATK-së me kusht që të njëjtit: të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014, njofton Klan Kosova.
Personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e borxhit bazë për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.
Në qoftë se nuk kryhet pagesa e plotë, personat e këtillë mund të lidhin marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës deri më 1 Shtator 2017, për pagesën e borxheve me këste për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.
Në rastin kur arrihet marrëveshja, këta persona, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 Dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e ndëshkimeve për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.
Personat të cilët lidhin marrëveshje dhe nuk respektojnë kushtet e marrëveshjes, ATK të njëjtit do t’i vendos në listën e borxheve, duke i bërë obligues për të gjitha borxhet e mbetura sipas kërkesave ligjore që kanë qenë të zbatueshme para lidhjes së marrëveshjes.