Aforizma nga Bertrand Russell

Prishtinë | 31 Jan 2024 | 07:39 | Nga Ekonomia Online

Bertrand Russell ishte filozof, logjicien, matematikan, historian, socialist, pacifist dhe kritik social, britanik.

I lindur në Trelleck (Uells), pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Angli, ku vdiq në moshën 97-vjeçare.

Russell udhëhoqi revoltën britanike kundër idealizmit në fillim të viteve 1900. Ai konsiderohet një nga themeluesit e filozofisë analitike, së bashku me Wittgensteinin dhe Fregen. Ai së bashku me Alfred North Whiteheadin shkroi librin Principia Mathematica, në të cilin u përpoqën të shpjegojnë matematikën me anë të logjikës formale. Punimet e tij kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në logjikë, matematikë, gjuhësi dhe filozofi.

Publikimi i tij i parë u bë në 1896, i titulluar “Social-Demokracia Gjermane”. Në të njëjtin vit ai jepte mësime mbi social-demokracinë gjermane në London School of Economics. Në 1910 Russell u bë lektor në universitetin e Kembrixhit.

Ai ishte një aktivist i shquar kundër luftës, përkrahës i tregtisë së lirë në mes të kombeve dhe antimperialist. Russell u burgos për aktivitetin e tij paqësor gjatë Luftës së Parë Botërore. Bëri fushatë kundër Adolf Hitlerit, kritikoi totalitarizmin sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tyre në Luftën e Vietnamit, dhe ishte një përkrahës i palëkundur i çarmatimit bërthamor.

Në 1950, Russell u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi, për shkrimet e tij të ndryshme ku mbron idealet e lirisë së mendimit.

Gjeni më poshtë 26 thënie të tij të mençura:

Kur kënaqësia e çastit mbaron, mbetet lodhja, neveria dhe jeta duket boshe.

Problemi i njerëzimit është se budallenjtë dhe fanatikët janë tmerrësisht të sigurt në vetvete, ndërsa njerëzit e mençur janë plot me dyshime.

Njerëzit lindin të paditur, por jo të pamend. Të pamend bëhen përmes edukimit.

T’i druhesh dashurisë është t’i druhesh jetës, e kush i druhet jetës është më i vdekur se i gjallë.

Smira është një burim pakënaqësie për shumë njerëz.

Në dy aktivitete që i janë mësuar, njeriu zakonisht preferon më të vështirën. Asnjë lojtar shahu nuk luan damë.

Universi është i stërmadh, e njerëzit s’janë tjetër veçse kokrriza rëre në një planet të parëndësishëm. Por, sa më shumë marrim dijeni për vogëlsinë dhe për paaftësinë tonë përballë forcave kozmike, aq më shumë rezulton befasuese ajo çfarë qeniet njerëzore kanë realizuar.

Fakti që një ide është e mbështetur gjërësisht, nuk është aspak një provë që të mos jetë tërësisht absurde. Madje, duke patur parasysh injorancën e shumicës, ka më të ngjarë që një opinion të jetë idiotësi se mençuri.

Të gjitha shkencat e sakta dominohen nga rrumbullakosja.

Një nga simptomat që çon në kolapsin mendor është bindja se puna jonë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Po të isha mjek, do t’u rekomandoja pushime të gjithë atyre që e mendojnë kështu.

Njerëzit i përshtaten gjithçkaje me një shpejtësi të frikshme.

Njerëzit e palumtur, si ata që flenë keq, shpesh janë krenarë.

Nuk do të vdisja kurrë për opinionet e mia: mund ta kem gabim.

Etika në origjinë është arti që u këshillon të tjerëve sakrificat që duhen për të bashkëpunuar me ne.

Fanatiku është ai që mendon se një gjë është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Të gjitha fetë, siç janë të dëmshme, janë edhe të rreme. Bota ka nevojë për zemra e mendje të hapura, jo për sisteme të ngurta.

Frika është burimi kryesor i besëtytnisë dhe mizorisë. Tejkalimi i frikës është fillimi i urtisë.

Dashuria është një përvojë përmes së cilës e gjithë qenia jonë përtërihet dhe rifreskohet, siç ndodh me pemët që shiu i lag pas thatësirës.

Kemi dy lloj moralesh bri për bri: njërin që e predikojmë por s’e praktikojmë, dhe tjetrin që e praktikojmë por që rrallë e predikojmë.

Pak njerëz arrijnë të jenë të lumtur pa urryer ndonjë person tjetër, tjetër komb a tjetër kredo.

Lufta nuk përcakton atë që ka të drejtë, por vetëm atë që mbijeton.

Liria e mendimit ekziston vetëm kur qeveria ndihet e sigurt.

Entuziazmi për jetën si oreksi është për ushqimin.

Dehja është një vetëvrasje e përkohshme.

Mund të duket e habitshme që jeta është një aksident, por në një Univers të kaq të madh aksidentet janë të pashmangshme.

Të ngjashme