Ligji për Sigurime Shëndetësore, që u miratua në Kuvendin e Kosovës 12 vjet më parë, ende nuk po gjen zbatim.
Ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, që ishte ministër në kohën kur u miratua ky ligj, në një intervistë për Ekonomia Online, fajësoi ministrat që e pasuan atë për moszbatimin e ligjit që mundëson pajisjen e qytetarëve me sigurime shëndetësore.
“Nuk kemi sigurime shëndetësore në Kosovë sepse është ndërprerë reforma e sistemit shëndetësorë të vendit e cila ka filluar me miratimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore në vitin 2014 dhe Ligjit për Shëndetësi në vitin 2013. Reforma është ndërprerë për këtë arsye nuk ka implementim të këtyre dy ligjeve dhe nuk ka sigurime publike shëndetësore në vend”.
“Sepse nuk ka vizion, të dy qeveritë pas largimit tim nga Ministria e Shëndetësisë dy ministrat që vinin nga dy partitë ndër më të mëdhatë në vend, nuk e kanë pasur vizionin e plotë të reformave dhe në këtë aspekt kanë pasur pasiguri të madhe në implementimin e saj. Kështu që reforma nuk lejon pasiguri, reforma do vendosmëri do vizion të qartë punë sistematike, thotë ai.
Agani është skeptik se sigurimet shëndetësore mund të jetësohen edhe nga qeveria e ardhshme.
Thotë se këtë ligj mund ta vejë në zbatim vetëm ata që e kanë bërë, duke iu referuar kohës sa ai ishte ministër.
“Pa marrë parasysh cila parti do ta merr pushtetin, derisa ekipi reformatorë e ka përpiluar dhe e ka miratuar një pako legjislative e cila e siguron suksesin e reformës, të mbështetur edhe nga Banka Botërore, nga Fondi Monetarë Ndërkombëtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pra deri sa kjo ekip nuk ta merr përgjegjësinë sërish që ta vazhdoj reformën unë jam shumë skeptik se do të ketë qeveri e cila do të jetë në gjendje që me sukses ta zbatojë këtë reformë dhe të themelojë sistemin publik të sigurimeve shëndetësore në vend”, thotë ai.
Ish-ministri Agani thotë se gjendja në sektorin e shëndetësisë, në përgjithësi vazhdon të mbetet jo e mirë.
Ai thotë se duhet një bashkërendim i institucioneve përgjegjëse për të dal nga kjo situatë. Madje jep edhe disa këshilla.
“Dhe atë jo vetëm në një segment siç ka qenë rasti vetëm në segmentin dhe fondin e sigurimeve shëndetësore, por nevojitet njëkohësisht punë e madhe në nivelin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në nivelin e odave të profesionistëve shëndetësorë, në nivelin e përafrimit të legjislacionit të shëndetësisë me standarde të bashkësisë evropiane dhe në fusha të tjera të shëndetësisë. Hapjen e tregut të punës dhe të shërbimeve përmes institucioneve shëndetësore në vend në relacion me fonde shëndetësore të shteteve të bashkësisë evropiane”, thotë ai.
Agani thotë se si pasojë e një sistemi shëndetësor të stagnuar, po ndodh edhe largimi i kuadrove shëndetësorë nga Kosova.
“Gjendja është siç mund të jetë të një sistemi shëndetësor i cili ka filluar të reformohet, që e ka një bazë ligjore shumë premtuese për t’u përmirësuar por i cili ka stagnuar i cili ka ngelur në vend i cili po mbijeton. Kjo është gjendje e mbijetesës e cila në mënyrën më të mirë po reflektohet fatkeqësisht me largimin e kuadrove mjekësore nga vendi, të kuadrove infermierike që është një tragjedi për vendin tonë që unë si ministër jam munduar me e ndalua në kohën time duke ndarë mbi 750 specializime për mjek të rinj duke i ndalur ata në vend duke e themeluar Odën e Infermierëve”.
“Duke e rritur shpresën tek punëtorët shëndetësorë që të gjejnë ardhmërinë e tyre në vend por për fat të keq u humbën 5 vite dhe mendoj që kjo është kohë e cila shumë vështirë do të kompensohet”, përfundon Agani.
Ligji për Sigurime Shëndetësore i sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë, u miratua në Kuvendin e Kosovës më 14 prill 2014.