Komuna e Ferizajt, përkatësisht Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu sot ka pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga Kryeministri Ramush Haradinaj që Komunës së Ferizajt, t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi komunale në një sipërfaqe të përgjithshme prej 334 hektarë e 41 ari e 46m2.
Ky vendim vjen pas kërkesës së parashtruar Aliu që Ferizaj t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga AKP në prona komunale, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe aplikimit të projekteve të ndryshme zhvillimore për Ferizajn gjithmonë në interesin publik.
Ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht të Haradinajt, pasuron jashtëzakonisht shumë Komunën e Ferizajt, e cila ndër vite është ballafaquar me mungesë të trojeve në të cilat do të mund të shtriheshin investime të ndryshme publike dhe projekte me impakt rritjen ekonomike lokale.
Përfundimisht, me kaq hapësirë të madhe të kthyer në pronësi komunale, Ferizaj përfundimisht zgjidh problemin me mungesat e deritanishme të parcelave dhe krijon mundësinë e një planifikimi afatgjatë të projekteve, nismave dhe investimeve publike në këto hapësira.
Aliu falënderon Haradinajn dhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme me projekte të ndryshme, e veçanërisht për vendimin e fundit, këtë të kthimit në pronësi komunale të pronave të menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që i shton aseteve komunale, pasurisë komunale vlerë të jashtëzakonshme dhe inkurajon nisma zhvillimore në gjithë territorin e Ferizajt.