Agim Bahtiri do të udhëheq degën e AKR-së në Mitrovicë edhe për katërvjetët e ardhshme.
Bahtiri që është edhe kryetar i Mitrovicës, u rizgjodh në krye të AKR-së në Mitrovicë, pa asnjë votë kundër.
Në intonimin e himnit punimet e këtij Kuvendi i hapi koordinatori i degës së AKR-së në Mitrovicë, Jeton Ujkani, i cili duke i falënderuar 515 delegatët e pranishëm dhe të gjithë ata që e ndihmuan këtë proces, potencoi se puna e mirë, sinqeriteti i Kryetarit Agim Bahtiri në qeverisjen e Mitrovicës dhe vizioni Presidentit Behgjet Pacolli, kanë bërë që përkrahja për AKR-në është rritur në vazhdimësi.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Bahtiri u zotua se do të vazhdojë të punojë për të mirën e qytetarëve të këtij rajoni, raporton Ekonomia Online.
Ai bëri një krahasim të gjendjes kur e mori drejtimin e Komunës, me atë të sotshmen, me çrast tha se kanë ndryshuar shumë gjëra për së miri, duke përmendur edhe largimin e “mureve ndarëse” mes dy mitrovicave.
“Ne e kemi gjetur Mitrovicën në gjendje të mjerueshme, të ndarë, pa siguri, pa shëndetësi dhe në varfëri të madhe, me ardhjen tonë në qeverisje të Komunës, kemi stabilizuar gjendjen politike dhe të sigurisë, kemi zhvilluar ekonominë edhe përkundër pengesave të shumta që kemi pasur nga Qeveria” është shprehur ai duke shtuar se, AKR-ja nuk e ka lejuar as shitjen e Trepçës dhe po ashtu ka arritur ta depolitizojë arsimin”, tha ai, duke u premtuar bashkëqytetarëve të Mitrovicës se AKR-ja do të vazhdojë edhe më tej me misionin e saj për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pacolli: AKR është shndërrua në alternativë kryesore për qytetarët e vendit
E lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se partia e tij është shndërruar në alternativën kryesore për qytetarët të cilën e duan një vend të zhvilluar ekonomikisht, me vende pune dhe me standard të lartë jetësor për të gjithë.
“Zhvillimi ekonomik që i nevojitet Kosovës nuk është 2 apo 3 për qind, por duhet të jetë mbi 10 për qind. Vetëm atëherë krijohet perspektiva dhe krijimi i vendeve të reja të punës”, ka pohuar ai.