Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar minatorët e Stantërgut, të cilët nga e hëna kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak të pakënaqësisë me Draft-statutin e Kompanisë ”Trepça”, për të cilin mendojnë se është i dëmshëm për Kombinat dhe nuk e ruan tërësinë territoriale të tij e as njësitë prodhuese.
Minatorët grevistë e kanë mirëpritur vizitën e kryetarit Bahtiri dhe i kanë treguar shkaqet që i kane detyruar ata për të hyrë në grevë të përgjithshme, njofton Klan Kosova.
Pas bisedës së drejtpërdrejtë dhe miqësore me minatorët grevistë në hapësirat e restorantit të minatorëve, kryetari Bahtiri ka vazhduar bisedën me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut.
Kryetari Bahtiri ju tha minatorëve, por edhe drejtuesve të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stantërgut, se e kupton shqetësimin e tyre për fatin e Trepçës, si dhe ka mirëkuptim për kërkesat e bëra.
“Minatorët e Stantërgut në të gjitha fazat e zhvillimit të Minierës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Mitrovicën dhe Kosovën. Ata kurrë nuk kanë kursyer për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të komunës e të Kosovës, për të ndihmuar shëndetësinë, arsimin dhe të gjitha veprimtaritë tjera shoqërore që ishin në interes të qytetarëve. Kur ka qenë e nevojshme, minatorët e Stantërgut ju kanë prirë proceseve politike për liri e pavarësi. Greva e famshme e tyre në vitin 1989, ishte bazament për të gjitha proceset e mëvonshme që çuan deri lirinë dhe pavarësinë e vendit. Prandaj, edhe kërkesat e tashme të arsyeshme të minatorëve duhet të mbështeten nga institucionet e vendit”, tha para minatorëve të Stantërgut kryetari Bahtiri.
Në vazhdim kryetari Bahtiri iu premtoi minatorëve se do të angazhohet tek Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera më të larta të vendit, që kërkesat e minatorëve t’i shqyrtojnë seriozisht dhe që sa më parë ato të zgjidhen me marrëveshje dhe në interes të të gjithëve.
Me hyrjen në grevë të përgjithshme, minatorët kanë ndërpre të gjitha punët në Trepçë, përveç në vendet kyçe ku është cekur se do të mbahet kujdestari që të mos rrezikohet miniera. Ata i patën paralajmëruar qeveritarët se pa u plotësuar kërkesat e tyre nuk do të punojnë, por do të hyjnë në grevë, gjë të cilën edhe e realizuan, njofton Klan Kosova.