Agim Shahini, Kryetar i Aleancës së Bizneseve në Kosovë, ka vlerësuar se vendosja e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka pasur efekt pozitiv.
Shahini në një intervistë në Sytë 7 të Klan Kosovës ka theksuar në veçante ndryshimet tek bizneset prodhuese.
“Efektet e taksës janë të pamatshme në kuptimin pozitiv, sepse në të gjitha bizneset prodhuese, përpunuese dhe shërbyese ka ndikuar pozitivisht – duke u nisur nga importi rreth 500 milionë euro që kemi pasur nga Serbia”.
“Ne në dhjetor kemi bërë një studim ku kanë qenë të përfshira më shumë se 250 kompani prodhuese. Në atë kohë efekti ka qenë mbi 20 %, që janë rritë kapacitetet. Ka qenë periudhe e shkurtër që prej vendosjes se taksës dhe nuk mund të dihej saktë”.
“Para vendosjes se taksës ka pasur prodhues që as 10% të kapaciteteve nuk kane arritur t’i përdorin, ndërsa tani kanë arritur deri në 100% të përdorimit te kapaciteteve”.
Shahini ka folur edhe për rritjen e çmimeve, tek të cilat sipas tij, nuk ka ndikuar vendosja e taksës.
“Janë zëvendësuar ato produkte që i kemi importuar nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, edhe me prodhime nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Sllovenia etj. Nuk ka pasur rritje të çmimeve siç proklamohej nga disa. Ka një rritje mirëpo taksa nuk është shkaktari numër një”.
Agim Shahini gjithashtu diskutoi edhe për mbylljen e bizneseve kosovare, për të cilën gjendje tha se informaliteti është një nga faktorët kryesor pasuar nga pabarazia në treg, taksat e larta, interesi bankar i lartë, monopoli, burokracia dhe korrupsioni.