Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, njofton se bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, pas përfundimit të gjitha përgatitjeve, nga sot më datë 20.12.2016, ka filluar ofrimin e shërbimeve për qytetarët e komunave: Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicën Veriore.
“Të gjithë qytetarët e këtyre komunave kanë mundësi që të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës: Pasaportë, Letërnjoftim, Patentë-shoferë, si dhe të bëjnë Regjistrimin e Automjeteve të tyre me targa, bazuar në legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës për pajisje me dokumente dhe regjistrim të automjeteve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Agjencia e Regjistrimit Civil mirëpret të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për pajisje me dokumente dhe regjistrim të automjeteve.