Laboratori i Mikrobiologjisë në QKUK ka pranuar një donacion me reagentë, në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor në Kosovë”, financuar me mbi tre milionë euro nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS).
Në ceremoninë e dorëzim-pranim të donacionit kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, si dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, raporton Ekonomia Online.
“Faleminderit AICS! Falë kësaj ndihme është gati të fillojë punën ky laborator”, tha Zemaj.
Me këtë rast, Zemaj përmendi se Italia, po ashtu, ka sjellë profesionistë shëndetësorë për ta ndihmuar Kosovën në përballjen kundër Covid-19. “Italia dhe shtetet mike po na ofrojnë përkrahje të rëndësishme në këtë kohë të vështirë dhe ne kemi një listë të gjerë me donacionet që na kanë dhuruar, ndihmë kjo shumë e rëndësishme për shëndetësinë tonë”.
Kreu i Shëndetësisë bëri thirrje që të respektohen masat anti-Covid.
“Nuk duhet të kalojmë në nivel tjetër të mosdisiplinës dhe ta rëndojmë punën e profesionistëve shëndetësore. E dini me çka janë përballë gjatë dy muajve të verës”.
“Ta mbajmë maskën, higjienën dhe shumë më pak apo fare nuk do kemi nevojë që aparaturat e reja të përdoren në masë të madhe”.
Ambasadori Italian Nicola Orlando, ka përgëzuar institucionet e vendit për menaxhimin e pandemisë.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se pajisjet janë të kualitetit më të lartë, raporton EO.
“Ky projekt është financuar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes së projekteve nga ana e Qeverisë së Italisë me atë të Kosovës”.
“Pajisjet janë të nivelit më të lartë kualitativ dhe të tilla që në momentin e certifikimit të tyre nuk nevojiten investime shtesë”.