Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim jashtëzakonisht të thellë mbylljen e seancës fillestare në rastin “Toka”.
AGK thotë se nuk pajtohen me veprimin dhe arsyetimin e kryetarit të trupit gjykues në këtë rast Arcadius Sedek, se kjo seancë është e karakterit teknik.
“I’a bëjmë me dije kryetarit të trupit gjykues se pikërisht kjo seancë paraqet interes të lartë për opinionin publik, pasi këtu vendoset nëse do të ketë shqyrtim kryesor apo jo”, thuhet në komunikatë.
Kohë më parë AGK-ja kishte paralajmëruar se mbyllja për media dhe publik i rastit, Mekaj do të mund të shndërrohej në precedent, gjë e cila tashmë po dëshmohet me mbylljen e rastit “Stenta” si dhe këtij të fundit.
“Rikujtojmë gjyqësorin në vend se në të gjitha këto raste, të akuzuar janë persona që kanë mbajtur pozita të rëndësishme udhëheqëse dhe se paraqesin interes të jashtëzakonshëm për opinionin publik. Njëherësh ia bëjmë më dije sistemit të drejtësisë se me mbylljen e seancave është duke ndikuar drejtpërdrejt në prishjen e imazhit si dhe pengimin e mediave që të kryejnë punën e tyre”, thuhet më tej.
AGK kërkon edhe nga prokurorët e rasteve që të mos pajtohen me mbylljen e seancave gjyqësore për shkak se këtu dëmtohet edhe kredibiliteti i Prokurorisë.
“Ne kërkojmë nga Gjykatat që t’i hapin dyert për mediet dhe publikun, pasi transparenca duhet të jetë parimi bazë mbi të cilin do të duhej të funksiononte ky institucion. Mungesa e transparencës në drejtësi krijon mundësi për spekulime të ndryshme pasojat e së cilës do t’i bartin vetë institucionet e drejtësisë. Me këto veprime gjykatat kanë krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë”, thuhet në komunikatë.