AGK-ja e shqetësuar për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj nga Prokuroria e Gjakovës

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është tejet e shqetësuar që edhe pas reagimit në rastin e ftesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë drejtuar gazetarit Mentor Gjergjaj, nuk është marrë parasysh kërkesa që gazetarët të mos ndiqen për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre.

AGK është njoftuar që, megjithëse ka kërkuar që të tërhiqet ftesa ndaj Gjergjajt për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, Prokuroria e Shtetit, përmes Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kundërligjshëm kanë urdhëruar intervistimin e tij si gazetar, në cilësinë e të dyshuarit, në bazë të një Kallëzimi Penal, të paraqitur ndaj tij nga i njëjti person i cili para 3 vitesh, gjegjësisht më 3 maj 2018, e ka kanosur ekipin e gazetës Express.

Për më tepër, sipas Gjergjajt, Kallëzimi i paraqitur Penal, nuk përmbante asnjë datë të shënuar se kur është dorëzuar apo ditë të hartimit të tij, me anë të së cilit Prokuroria e ka cilësuar atë si të dyshuar, gjë që për shumë arsye të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka shumë rendësi gjatë procedurës hetimore.

“Meqenëse këto ftesa nga Prokuroria së fundmi janë kthyer në praktikë, AGK, më 19 maj, përmes një kërkese dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që të kërkojë nga institucionet që kanë për mision zbatimin e ligjit të veprojnë konform ligjeve në fuqi dhe të respektojnë liritë dhe të drejtat e gazetarëve, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Repulikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Ne gjithashtu kemi kërkuar nga z. Lumezi që të ndërmarr masat e duhura ndaj Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Prokurorit të rastit”.

Të nesërmen, AGK ka pranuar letër nga Zyra për Komunikim Publik në Prokurorinë e Shtetit, ku thuhej: “Pas pranimit të emalit tuaj, ne kemi kërkuar informacione nga prokurori i rastit, i cili na ka njoftuar se për rastin konkret nuk ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve por është duke e kryer verifikimin e detyrueshëm ligjor të pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal nga një qytetar ndaj gazetarit në fjalë për incizim të paautorizuar.”

“AGK rikthekson se ftesat e këtilla janë skandaloze dhe kanë tendencë të kërcënojnë dhe të heshtin gazetarët. Ndërsa, ne ftojmë gazetarët që të mos dorëzohen përballë shantazheve të tilla. AGK edhe më tutje do të vazhdojë të monitorojë rastin dhe ftojmë Kryprokurorin e Shtetit, z. Lumezi të dalë me një sqarim publik lidhur me këtë veprim të kundërligjshëm në raport me gazetarin Gjergjaj. Shkeljet si këto përbëjnë rrezik dhe tundin themelet e një shoqërie demokratike”.

Të ngjashme