AGK-ja kërkon që gazetarëve t’u krijohen kushtet e nevojshme për raportimet nga terreni

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar që gazetarëve t’iu krijohen kushtet e nevojshme për raportimet nga terreni.

“Raportimi për virusin Corona në këtë situatë të jashtëzakonshme është shumë delikat dhe jo i lehtë veçmas për kolegët tanë gazetarë, të cilët çdo minutë janë të ekspozuar ndaj rrezikut potencial të infektimit”, thuhet në njoftim.

AGK-ja iu ka bërë thirrje pronarëve të mediave që t’iu krijohen kushte gazetarëve për raportim.

“AGK thotë se iu bën thirrje pronarëve të medieve, të cilët deri më tani nuk e kanë bërë, që urgjentisht t’u krijohen kushtet e nevojshme kolegëve tanë, veçmas atyre që raportojnë nga terreni dhe janë në rrezik potencial për t’u infektuar. Aktualisht, ka shumë kolegë të cilët po e vazhdojnë punën pa mjetet elementare që mbrojnë shëndetin e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme siç janë: dorëzat, maskat dhe dezinfektuesit”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

Po ashtu, AGK kërkon nga përfaqësuesit institucionalë që adresimet e tyre t’i bëjnë në ambiente të përshtatshme ku sigurohen foltoret dhe distanca e nevojshme ndërmjet gazetarëve e zyrtarëve, e rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Të ngjashme