AGK: Të hartohet një kod zgjedhor për media

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 11:00 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka organizuar tryezën për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjeve dhe për të diskutuar rreth përgjegjësive që kanë mediet gjatë zhvillimit të fushatës. Aty u është bërë thirrje medieve për raportim sa më të drejtë, duke konfirmuar çdo informacion si dhe të bëhet presion kandidatëve për kryeministër për të dalë në debat publik.

Gjithashtu u propozua që të formohet edhe një kod i veçantë për media në kohë zgjedhjesh, raporton Ekonomia Online.

Shkëlqim Hysenaj kryetari i AGK-së tha se kohëve të fundit është parë një shtim i medieve online dhe është parë zbehje e kodit të etikës.

“Ne e kemi parë të arsyeshme të diskutojmë, kemi parë që ka pasur raportime të pakonfirmuara. Ditëve të fundit, e sidomos në prag të fushatës kemi parë profile nëpër rrjetet sociale, ku ka përmbajtje ofenduese, sidomos ndaj subjekteve politike dhe shpesh këto profile nuk kanë pronar dhe këto përmbajtje kanë gjetur hapësirë nga mediet”, tha Hysenaj.

“Është rritur numri i medieve online ku kemi parë një zbehje të kodit etik, ku postohen informacione për persona të caktuar dhe personi nuk lajmërohet fare për konfirmim, dhe sot do të nxjerrim disa rekomandime, ku sot ose nesër do t’i dërgojmë në media se si këto të fundit të rrisin kodin etik”, tha ai.

Agron Bajrami kryeredaktor i “Kohës Ditore” tha se ky diskutim madje mund të jetë i vonë pasi që fushata veç ka filluar më parë.

Ai shtroi çështjen e njollosjes së medieve, gjë që sipas tij, po ndodhë posaçërisht në kohë të zgjedhjeve.

“Komisioni i Pavarur i Medieve këtë vit ka bërë disa gabime. Nuk ka kurrfarë sektori të monitorimit të fushatës. Kësaj radhe do të kemi një situatë më të rëndë pasi që shumë media tashmë janë deklaruar njëanshëm ndaj partive politike”, u shpreh ai.

“Këtë vit zgjedhjet do të na njollosin si komunitet shumë më shumë se herëve të tjera. Ka me pas degradim të raportimit medial. Mediet kanë nevojë për një kod të veçantë për raportim nëpër fushata zgjedhore”, tha ai, duke bërë apel që të niset hartimi i një kodi për proceset zgjedhore.

Jeta Xharra nga BIRN-i u bëri thirrje gazetarëve që t’u bëjnë presion kandidatëve për kryeministër që të dalin në debat.

“Kurrë më shumë nuk kemi pasur media në shërbim të politikes. Kemi të bëjmë me media mercenare që janë në shërbim të politikës. Kurrë më shumë s’kemi pas publik që po e sheh gazetarin matrapaz. Jo vetëm partitë politike, por ne duhet të pastrojmë terrenin tonë”, tha ajo.

Ndërsa, Laur Pula nga Prokuroria e Shtetit tha se tashmë Prokuroria është gati për reagim sa më të shpejt gjatë zgjedhjeve.

“Mediat na kanë ndihmuar sepse në bazë të raportimi të tyre ne kemi reaguar me kohë. Informimi të jetë sa më i saktë. Janë 100 prokurorë kujdestar në ditën e zgjedhjeve dhe do të jemi online ku çdo informatë që marrim nga ju, ne do të reagojmë”, tha Pula.

 

Të ngjashme