Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, pak minuta pasi ka filluar të bëhet autopsia e Astrit Deharit (aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje), i cili vdiq ditën e shtunë, ka rikujturar edhe njëherë se ai u mbajt në burg plot 68 ditë, përcjellë Zëri.info.
Sipas tij, Astriti, bashkë me 5 aktivistët e tjerë, u arrestuan sikurse të ishin rreziku më i madh i shtetit.
“Përderisa pritet autopsia për të zbuluar arsyen e vdekjes së Astritit, disa gjëra nuk kanë nevojë për ekspertizë. Astriti u mbajt 68 ditë (e ku me dit edhe sa do të mbahej) në paraburgim pa aktakuzë, u arrestua me 5 aktivistë të tjerë para votimit për demarkacionit në storien se VV po sulmon Kuvendin (dy ende në burg), sikurse këta të ishin rreziku më i madh i shtetit tonë, dhe kjo krejt vetëm për shkak të bindjeve politike”, ka thënë ai.
Tutje, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nesër t’i bashkohen marshit për Deharin, i cili pritet të organizohet me rastin e varrimit të tij.
“Thua se pas çdo padrejtësie presim tjetrën. Nesër në 11:00 mbledhja komemorative, në ora 12:00 do të ketë marsh për Astritin, e në ora 14:00 varrimi në varrezat e Matiqanit. Ta përcjellim së bashku”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, para pak çastesh ka filluar të bëhet autopsia e trupit të Astrit Deharit. Kështu ka njoftuar për media Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.