Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka falënderuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për vizitën që ky i fundit ka bërë gjatë së enjtes në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.
Ahmeti tha se kanë diskutuar rreth menaxhimit të situatës me Coronavirusin.
“Pata kënaqësinë që në vizitë në komunë tonë ta presim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti”.
“Diskutuam rreth zhvillimeve të fundit në vend por me fokus të veçantë menaxhimin me COVID-19, ku diskutuam për menaxhimin në Prishtinë dhe masat e ndërmarra dhe ditët e javët në vijim se çka na pret me lirimin e disa prej masave”.
Ahmeti, ka thënë se nuk i ka kërkuar Kurtit përgjegjësi se kush e organizoi protestën e sotme, por se si Komunë do të kujdesen për mbarëvajtjen e saj.
“Me kryeministrin diskutuam edhe për vendimin e Gjykatës. Kurti sot ka ardhur si kryeministër dhe jo si kryetar i LVV-së. Andaj sot nuk i bëra pyetje se kush po organizon protestë”.
“Sot pritet të jetë një test i dytë i protestës. Ne si komunë kujdesemi që të ketë mbarëvajtje, e drejta e protestës është e garantuar me kushtetutë”.
Ahmeti është pyetur se pse deri më tani nuk ka pasur një takim me Kurtin.
Ahmeti tha se gjatë kësaj periudhë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm më Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Unë kam thënë edhe më herët që ne nuk i përcaktojmë prioritetet e Qeverisë, unë gjatë kësaj periudhe kam qenë në kontakt të përditshëm me ministrinë e Shëndetësisë, sot jam i kënaqur që kryeministri e vizitoi Komunën Prishtinës për të diskutuar rreth këtyre çështjeve dhe me ju tregu të drejtën unë pak po e di që këto debatet televizive pastaj po shkaktojnë kërkesa për pyetje për atë se çka ka thënë dikush për dikë”
“…në përgjithësi mendoj se do të duhej të ishim më shumë të shqetësuar për situatën ekonomike dhe gjendjen të cilin e kemi dhe institucionet të koordinohen për të menaxhuar situatën më mirë”.
Ai ka komentuar edhe deklaratën që mbrëmë presidenti i vendit, Hashim Thaçi e pati për Kurtin, raporton EO.
“Mua më kap sikleti veç kur e di që ka dhomë të përgjimeve e leje ma veç emri i qasaj, se kam ditë që as që ekziston një gjë e tillë në Telekom, e kam mësuar. Nuk mund të themi që nuk njihemi me Albinin e me përfaqësuesit e qeverisë, ne jemi të gatshëm për rihapje po ne këtë vendim se marrim si komunë”.
“Besoj se ne i kemi zbatuar në përpikëri e s’kemi hyrë fare në debate a kanë qenë ligjore, për ne ka qenë e rëndësishme jeta e njerëzve”.
Ahmeti ka shtuar se janë të gatshëm për rihapje, por se këtë vendos Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.