Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me udhëheqës të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka përcjellë punimet që po zhvillohen për rinovimin e shkollës fillore “Elena Gjika”.
Kryetari Ahmeti tha se një rinovim kësaj shkolle i është dashur më herët, pasi që ka pasur një kohë të gjatë që nga rinovimi i fundit, raporton Ekonomia Online.
“Kur i kemi hapë dyshemetë për herë të parë, më duket se asnjëherë nuk janë rinovuar këto klasë, e kemi parë se çfarë nevoje ka pasur “Elena Gjika” për rinovim. Natyrisht ky është objekt i trashëgimisë kulturore, kështu që është dashur m’i marrë të gjitha lejet nga Instituti për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, në mënyrë që fasada e jashtme të mos preket dhe të ruhet në aspektin e trashëgimisë kulturore”, tha Ahmeti.
“10 klasë më herët janë rinovuar nga TIKA, ndërsa tani po e përfundojmë me bashkëfinancim, kështu që një pjesë e paguajmë ne si komunë, pjesën më të madhe e merr TIKA ku e ka marrë si përgjegjësi përfundimin e punimeve para se të fillojë viti i ri shkollor”, tha ai.
Ahmeti bëri të ditur se një fond është ndarë edhe për rregullimin e oborrit të kësaj shkolle.
“Si komunë kemi ndarë edhe një fond për rregullimin e oborrit të shkollës, i cili nuk është rregulluar asnjëherë dhe me atë rregullim të shkollës “Elene Gjika” besoj se do t’i plotësojë nevojat që të zhvillojë mësimin në kushte normale”, tha Ahmeti.
“Jam i gëzuar sepse edhe xhamia e Çarshisë, shumë shpejt fillojnë punimet që ta përfundojmë rinovimin e këtij objekti më të vjetër dhe të Hamamit të Prishtinës që me të vërtetë është njëri ndër donatorët kryesor në komunën tonë që ndihmojnë për projektet që janë të rëndësishme për fëmijët tanë dhe qytetarët në përgjithësi”, tha ai.
Hasan Burak Ceran, nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), tha se TIKA është duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e pjesës infrastrukturore në Kosovë, raporton EO.
“Ne si TIKA jemi duke vazhduar punën për të përmirësuar infrastrukturën e arsimore në tërë Kosovën dhe shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë është mjaft e rëndësishme në këtë aspekt dhe në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kemi filluar një rinovim me gjithëpërfshirës në këtë shkollë”, tha Ceran.
“Për momentin 18 klasa dhe 3 klasa parashkollore do të rinovohen komplet, ndërsa rinovime pak më të vogla do të kemi në 10 klasë të cilat ishin rinovuar më vonë” tha ai.
Ai tregoi edhe për vjetërsinë e rinovimit të shkollës ku nga muret kanë qenë 5 nivele të ngjyrave të cilat janë lyer njëra mbi tjetrën pa u pastruar nga fillimi.
“Prej mureve kanë dalë 5 nivele të ngjyrave, do të thotë 5 herë është lyer mbi ngjyrë dhe tani është pastruar komplet, po ashtu edhe në dysheme kanë qenë 4 nivele te dyshemesë edhe kjo është pastruar që nga themeli”, tha Ceran.
Ai tha se rinovimi do të jetë i gatshëm për të filluar me vitin e ri shkollor dhe se bashkëpunimi me komunën do të vazhdojë edhe në aspekte të tjera ku do të ndërtohet një qendër për autizëm dhe të Sindromës Down në Prishtinë.
Drejtori i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, Fisnik Thaçi, falënderoi Ahmetin dhe stafin e TIKA-s për rinovimin e shkollës të cilën ai e drejton. Ai tha se është i gëzuar për këtë rinovim dhe se shkolla do të jetë e gatshme të fillojë mësimin më 3 shtator.