Komuna e Prishtinës nuk do të alokojë mjetet e zotuara për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj, përderisa komuna nuk përfaqësohet nga një anëtar në bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘’Prishtina’’. Kështu ka deklaruar për Radio Kosovën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Njëri nga premtimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, gjatë fushatës elektorale ishte se banorët e kryeqytetit do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë pas ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj.
Megjithatë, kryetari Ahmeti i ka thënë Radio Kosovës se nuk do t’i alokojnë mjetet e premtuara për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj përderisa komuna nuk përfaqësohet nga një anëtarë i saj në bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”.
”Edhe kësaj radhe ne kërkojmë që ta kemi anëtarin e bordit nga Komuna e Prishtinës sipas ligjit në fuqi. Me ndryshimin për Ligjin për Prishtinën ne kërkojmë që të kemi më shumë anëtarë në bord sepse është e pakuptimtë që gjithë përgjegjësinë ta marrim ndërsa mos të kemi kurrfarë pjese në vendimmarrje dhe të mos dimë se çfarë po ndodh e as kush çfarë po bën”.
Ahmeti tha se 1. 5 milionë euro janë alokuar dhe është dashtë që edhe 1 milionë të alokohen këtë vit për të mbetur edhe 2.5 milionë euro të tjera.
Për të sqaruar këtë, Radio Kosova ka dërguar kërkesë në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina” por deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ndryshe KUR ”Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës patën reaguar pas raportimit të Radio Kosovës, mbështetur në disa burime brenda ujësjellësit, se ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj mund të dështojë për shkak të mos alokimit të mjeteve të premtuara nga komuna dhe qeveria.
Ky projekt ishte paraparë të përfundojë në vjeshtë të këtij viti ku kostoja e të cilit pritet të arrijë deri në 35 milionë euro.