Ahmeti: Komuna e Prishtinës nuk mund të ndikojë në të gjitha çështjet për përmirësimin e ajrit

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 17:54 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për cilësinë e ajrit në Prishtinë.

Mbjellja e drunjve, ndalimi i shitjes së thëngjillit, ndalja e përkohshme e veturave, ishin disa nga opsionet që u dhanë sot nga asamblistët e Prishtinës për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Shpend Ahmeti kryetar i komunës së Prishtinës tha se ekzistojnë çështje në të cilat komuna e Prishtinës nuk mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Fatkeqësisht edhe sot në 10 vjetorin e pavarësisë ne nuk kemi raport nga Ministria e Mjedisit e cila na përcakton se cilat janë burimet kryesore të ndotjes. Janë çështje të cilat mund të intervenojë komuna por ka edhe që nuk mund të intervenoj. Janë termocentralet të cilat e dëmtojnë ajrin. Pjesa e dytë ka të bëjë me faktin se në Prishtinë përdoren metodat alternative të ngrohjes si qymyri dhe drunjtë. Tjetër ndotës janë trafiku dhe makinat. Lidhur me termocentralet ne nuk mund të bëjmë asgjë”, tha ai.

Ahmeti shtoi se procesi i koogjenerimit është prioritet kryesor i komunës.

“Ne pranojmë edhe propozime të cilat ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Është mirë me na tregu edhe qeveria çka ka bë për këto 10 vjet e fundit për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ne e dimë që ndalimi i makinave për disa ditë nuk e përmirëson ndikimin e ajrit. Vetë fakti që mbipopullimi në transportin publik tregon që shumë njerëz kanë hekë dorë nga përdorimi i veturave. Në dy tri vitet e ardhshme propozoj që të kemi ndalim të qarkullimit të makinave, dhe të rregullojmë edhe çështjen e taksive. Procesi i Koogjenerimi është prioritet i yni”, tha ai.

Leonora Bajraktari shefe e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje tha se masat e marra kanë ndikuar pozitivisht.

“Masat e vendosura si ndalimin e qarkullimit dhe ndalja e thëngjillit kanë dhënë efekt të menjëhershëm. Këto dy masa kanë dhënë efekt pozitiv. Nuk do të ndalem tek shkaktarët e ndotjes. Do të propozoj aktivitete të menjëhershme që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Këto aktivitete janë Pyllëzimi i hapësirave me drunj. Aktivitetet kanë të bëjmë me hartimin e aktivitetit komunal. Të organizohen orë mësimi dhe aktivitete në shkolla. Të mbillen 50 mijë drunj halorë. Ky aktivitet besoj që do të ndikojë shumë që mbrojtja e ambientit të bëhet primare për qytetarët”, tha ajo.

Halim Halimi shef i grupit të asamblistëve të LDK-së tha se është dashur të bisedohej më herët për ndotjen e ajrit.

“Çështja e ndotjes së ambientit në komunën e Prishtinës është problem shumë kompleks që e mundon çdo qytetarë. Po e përshëndes vendimin e Prishtinës për masat që i ka marr por këto masa nuk janë shumë efektive. Transporti shumë kaotik po ndikon në orarin e punëtorëve, po ndikon në mbi popullimin e autobusëve. Duhet të bëhen veprime më afatgjata sepse këto masa po e paralizojnë jetën e qytetarëve. Nuk janë vetëm automjetet që po e ndotin ajrin në Prishtinë, por është termo elektrana, thëngjilli etj. Këto masa të cilat janë marrë dhashtë Zoti të mos jenë afatgjate por të punohet në masa tjera. Vetëdijesimi nxënësve në shkolla, pyllëzimi, janë masa afatgjate”, tha ai.

Blerand Stavileci shef i asamblistëve të PDK-së akuzoi qeverisjen e Ahmetit për mos marrjen e masave për ndalimin e ndotjes së ajrit

“Të them të drejtën thirrja për një seance të tillë sado që është e mirë, do të duhej të bëhej në një kontekst tjetër kohor. Kryetari do të duhej të ishte këtu dhe të raportonte për gjendjen aktuale. Përtej problemeve politike do të duhej të dilej me një plan konkret sepse një situatë të tillë e kemi pasur disa vite më herët.
E tërë qeverisja komunale në 4 vitet e kaluara, janë 5550 drunj të mbjellur, dhe a është ky kujdesi që duhet të ja kushtojë kryetari ambientit? Unë mendoj që jo. Prej 9 burimeve të ndotjes së ajrit, në 8 prej tyre ka dorë komuna e Prishtinës. Unë mendoj që sot kryetari do të duhej të dilte të thoshte “ky është plani im që do të duhej të realizohej para 3 viteve, por kërkojë ndihmë që të kemi një plan për ndalimin e ndotjes së ajrit”, tha ai.

Fadil Gashi shef i grupit të asamblistëve të AAK tha se duhet të gjinden zgjidhje afatgjate.

“Ndalja e makinave është afatshkurtre dhe nuk është zgjidhje. Propozimi jonë është që të shtrihet Termokosi në të gjitha lagjet. Po e shoh qe po e hidhni fajet në këtë qeverisje, por ky problem ka filluar shumë vite më herët. Duhet të shkohet me ide konkrete sepse ndalimi i veturave nuk është zgjidhje”, tha ai.

Rifat Deri nga Lëvizja për Bashkim tha se ndotësi kryesor i ajrit janë termocentrali Kosova A dhe B.

“Meqenëse në periudhën e fundit Prishtina po përballet me ndotje enorme të ajrit sipas ekspertëve tanë faktorët qe ndikojnë në ndotjen e ajrit janë oxhaqet e termocentraleve Kosova A dhe B. Zgjidhjet konkrete dhe të mundshme për zgjidhjen e këtij problemi janë, monitorimi i vazhdueshëm i kontrollimit të cilësisë së ajrit. Trafiku i dendur është faktor kyç i ndotjes për shkak se ekzistojnë vetura të vjetra. Djegia e mbeturinave gjithashtu është faktor kyç. Mendoj që komuna duhet ta shndërroj në traditë që ta mbyll trafikun një herë në vite në mënyrë që të kemi më shumë kujdes me cilësinë e ajrit”, tha ai.

Të ngjashme