Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas propozimit për aktakuzë nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Kam qenë dhe do të vazhdoj të jem ndër përkrahësit më të mëdhenj te zbardhjeve të krimeve të luftes. Kam dëshirë që për çdo viktimë të ketë përgjegjësi e çdo familje që ka humbur dikënd të ketë mundësi ta ndjej shijen e drejtësise. Pa dallim nacionaliteti. Pra, në qoftë se dikush ka kryer krime, dua që të dënohet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
“Po ashtu, jam i bindur, si qytetar i këtij vendi, duke përjetuar në lëkuren time dhe të familjes sime si edhe çdo familje tjetër në Kosovë se shteti i Serbisë ka kryer një përndjekje, shtypje e agresion etnik rrallë të parë e përjetuar në Evropë. E din secili njeri që ka jetuar në këtë Kosovë tonën”, ka shtuar ai.
“Prandaj kam qenë kundër gjykates që heton vetëm shqiptarët. Kam pas dëshirë që shteti jonë të hetojë çdo krim të kryer. Çdo njeri që ka kryer një krim si shqiptar nuk ka fol në emër timin dhe nuk do të flas asnjëherë edhe pse thellë besoj se UÇK si organizim nuk ka pas qëllim e as mjet që në mënyrë të organizuar të kryej krime”, ka thënë Ahmeti.
“Me Kadri Veselin nuk pajtohem në shumicen e gjërave. Me Hashim Thacin edhe më pak. Por, asnjëherë dhe kurrë, nuk do të pajtohem që largimi i tyre nga skena politike të bëhet me çdo kusht. Kur dëmtohet Kosova, dëmtohem unë. Kur dy ditë para një procesi të rëndësishem në Shtëpinë e Bardhë (me të cilin mund edhe të mos pajtohem) një komunikatë jehon në krejt botën se krerët e UÇK kanë vrarë mbi 100 persona, kjo nuk mund të jetë as e rastësishme e as qëllim mirë”, ka deklaruar ai.
“Aman, forca politike bashkonu sepse ditë të vështira janë këto. Politikanët tonë ti gjykojmë ne për krimet e qeverisjes në Kosovë, por jo të krijohet bindja se ne kemi qenë agresori”, ka porositur Ahmeti.
“Drejtësi për krejt viktimat, ama bash krejt, por jo deklarime politike nga gjykatat ku qerohen hesapet në mes tê forcave botërore, e në dëm të Kosovë”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.