Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, pohoi se në takimin në Bruksel me diplomaten e BE-së Federica Mogherini, u qartësuan shumë gjera, mes tyre edhe detyrat e ekipit negociator.
Ai tha se janë pajtuar lidhur me atë se Kosova vendosë kë do e dërgojë të negocioje me Serbinë, e jo BE-ja.
“Mogherini shprehu kënaqësinë që është grup gjithëpërfshirës. Ajo tha se BE-ja nuk e cakton se kë e dërgon Kosova për negociata”.
“Rezoluta është e qartë edhe për rolin e delegacionit edhe për rolin e presidentit dhe kryeministrit. Delegacioni shtetëror është i vetmi që mund të negociojë dhe të arrijë marrëveshje në konsultim me krerët shtetëror. Edhe Mogherini u pajtua që nuk është roli i Brukselit të caktojë se kush duhet ta përfaqësoje Kosovën. Ne kemi mandat që buron nga kuvendi dhe i raportojmë kuvendit”.
Ahmeti gjithashtu dha një afat kohor të mundshëm për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Sipas Mogherinit, është një mundësi qenë pjesën e parë të 2019-ës të arrihet një marrëveshje me njohje reciproke, në kuadër të vlerave evropiane”.
Bashkëkryesuesi i delegacionit kosovar bëri të ditur se në këtë takim është potencuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë me dialogun dhe se takimet me përfaqësuesit e BE-së do të intensifikohen.