Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, kanë organizuar panairin tradicional “Blej Shqip” për nder të Ditës së Flamurit.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se duhet të hiqen të gjitha tarifat doganore mes dy vendeve.
“Është kënaqësi të marr pjesë në këtë panair i cili është organizuar për nder të festës së Flamurit. Është mirë që të gjitha tarifat doganore të hiqen mes dy vendeve në mënyrë që të ketë zhvillim më të mirë të ekonomisë. Sot në këtë panair janë afër 130 biznese”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi tha se shkëmbimet tregtare deri ne fund të vitit do të jenë mbi 220 milion euro.
“Shkëmbimet tregtare kanë qenë në nivel të mirë, 220 milion deri në fund të vitit pritet të jenë. Kemi pas mundësi edhe më të mira, mirëpo ne po punojmë për këtë. Mbledhja e dy qeverive dje kishte kryesisht karakter ekonomik. Panairi është mundësi e mirë për reklamim të produkteve”, tha Minxhozi.
E, përfaqësuesit e bizneseve të ndryshme shprehen të kënaqur për mundësinë e reklamimin të produkteve të tyre.
Kiqo Noti, nga firma “Lunxheria”, tha se ky panair është mundësi e mirë e reklamimit të produkteve të tyre në Kosovë.
E, Jehona Abdullahu, nga firma “Aldi”, tha se panairi është mundësi e mirë e promovimit të produkteve të tyre.
“Është mundësi e mirë e promovimit të produkteve tona. Është mirë që organizime të tilla të ketë edhe më shpesh sidomos ku përfshihen bizneset e mesme dhe të vogla sepse bizneset e mëdha veç e kanë mundësinë e promovimit”, tha ajo.
Naim Uka, prodhues i produkteve nga “Aronia”, tha se ky panair është mundësi e mirë e bashkëpunimit dhe promovimit të produkteve të tyre.