Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, i cili ishte dhe kandidat për deputete i Vetëvendosjes, konsideron se “populli ia ka dhënë mandatin Vetëvendosjes”, megjithëse sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ky subjekt është i dyti pas PAN-it.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa që të mos shkojë në diskutim me PDK-në për krijimin e qeverisë së re.
Në këtë postim Ahmeti ka shkruar se qytetarët ia kanë dhënë Vetëvendosjes mandatin për ndryshim dhe ka konfirmuar edhe një herë se LVV-ja nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në.
“Qytetarët ja kanë dhënë mandatin LVV për ndryshim! Ne si LVV nuk do të hyjmë në koalicion e as në kurrfarë diskutimi me PDK-në. Mirë është që as LAA të mos shkojë në kurrfarë diskutimi/negociate me PDK-në”, ka shkruar Ahmeti.
“PDK e ka vendin në opozitë, e ne nuk do të lejojmë që Thaçi ta deformojë vullnetin e popullit dhe proceset demokratike”, ka shkruar ai.