Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë sot se ka pasur presion nga Vetëvendosja për lejimin e ndërtimeve në liqenin e Badocit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë është pro anulimit të kushteve të ndërtimit por këtë së pari duhet ta bëjë ministria. Me këtë rast ka nisur polemika me asamblistët e Vetëvendosjes.
Kryetari Ahmeti i është drejtuar asamblistëve të Vetëvendosjes.
“Mos më shtini me fol se presionin ma të madh për këtë lagje e kam pasur nga Vetëvendosja”, ka thënë Ahmeti.
Me këtë rast kanë ndërhyrë asamblistët e Vetëvendosjes, duke i thënë që të flasë.
“Fol. Fol se s’kemi asgjë me fshehë”.
Ahmeti kërkoi nga asamblistët të gjendet një zgjidhje pasi nëse merret vendimi për pezullim do të paditet komuna e Prishtinës.
“Do të ishte mirë të din çka po marrim vendim, nëse është për mbrojtjen e resurseve ujore atëherë është MMPH-ja, tjetër është nëse nuk i besoni ministrisë së mjedisit. Ne nuk jemi republikë e Prishtinës”.
Egzon Azemi nga VV-ja e kundërshton kryetarin.
“Egzon Azemi t’i je asamblist i vikendit. Mendja nuk po më shkon me mbrojt ndërtimin në Badoc, me mujt ju kisha lut me i ndalu krejt lagjet”, tha Ahmeti.
Ahmeti u shpreh se nëse vjen vendimi për me u anuluar kushtet mjedisore duhet që të gjendet zgjidhje të kthehet në pronë komunale.
“Le te lëshon ministria vendimin për mi anuluar kushtet mjedisore dhe ne për 10 minuta e ndalojmë, por ne jemi duke dashtë me mbrojt komunën prej padive, ne mundemi me i pezulluar këto, por nuk mundemi me i pezulluar ligjet”.
“Do të ishte mirë të gjendet zgjidhje tjetër, pasi po shkoj kjo seancë në gjykatë, ma mira do të ishte që të kërkojmë t’ja shpronësojmë të bëjmë zgjidhje, sepse me hup në gjykatë është katastrofë”.
Sërish ka reaguar Azemi nga VV-ja, duke thënë se edhe përkundër kërkesave për debat nga qytetarët Ahmeti ka refuzuar.
“Të kanë ftuar qytetarët në debat publik me ministrin, ministri ka ardhur t’i s’ke guxuar. Je duke luajtur lojë, zoti kryetar i akuzon zotin ministër, ministri e akuzon kryetarin. Për shkak të borxheve t’ua. A e keni dit çfarë kushte po nënshkruhen?”.
Vala Peshku, nga PSD-ja, ka kërkuar sqarime nga Zyra Ligjore nëse këto kërkesa janë të bazuara në ligjet në fuqi, raporton EO.
“I kemi 3 kërkesa të qytetarëve që mandej me u kthyer në kërkesa të asamblistëve, unë e kisha pyetur Zyrën Ligjore sa janë ligjore këto kërkesa”.
Agim Kuleta, nga LDK-ja, tha se roli i tyre është këshillëdhënës e jo paragjykues.
“Ne nuk jemi në rolin e paragjykuesve, por në rolin e këshillëdhënësve, nuk jemi prokurori, ne rekomandojmë për pezullimin e përkohshëm”.
Pas këtij diskutimi u shkua në pauzë deri në ora 13:00 në mënyrë që të harmonizohet teksti me rekomandime për votim.