Komuna e Prishtinës ka mbajtur një konferencë për medie menjëherë pas publikimit të KDI-së për komunat më transparente, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Prishtina ka dalë një nga 6 kryeqytetet në Evropë si komuna më transparente.
“Për herë të parë Transparency International i kanë marrë kryeqytetet e 27 shteteve për ti vlerësuar, ky nivel është matë me mënyrën se si publikohen informatat në faqet tona. Kemi dalë që jemi një ndër 6 kryeqytetet më transparente në Evropë. Ky është lajm i mirë edhe për Kosovën për të treguar që mund të implementojmë standarde të cilat vlerësohen. Në vitin e kaluar kemi filluar implementimim e standardit OSDS”, tha Ahmeti.
“Shprehim zotimin që do vazhdojnë të kemi pjesë të tjera që duam t’i implementojmë dhe duhet ta përdorim ëeb faqen “kontratat e hapura” dhe të shohim se për çfarë standardi bëhet fjalë. Kjo vetëm tregon që transparenca është e plotë. Për neve më me rëndësi është që në momentin që zyrtarët komunalë e dinë që çdo gjë publikohet atëherë që çdo zyrtarë publik do jetë më i kujdesshëm”, tha Ahmeti.
Ndërsa nënkryetari i kësaj komune Muhedin Nushi, tha se rezultati i këtij publikimi është në konsistencë në punën e punëtorëve por edhe mirënjohjet që kjo komunë ia ka marrë nga Evropa.
“Rezultati i cili vjen nga raportimi i KDI-së tregon se kemi arrit rezultate shumë të mëdha që nuk janë rezultate ad-hoc të këtij viti. Kjo është punë e filluar që nga fillimi i mandatit tonë. Rezultati i këtij publikimi është në konsistencë në punën e punëtorëve por edhe mirënjohjet që i kemi marrë nga Evropa. Kthimi i përgjigjes ose qasja në dokumente zyrtare është një ka kritikat e mira. Prishtina këtu rangohet në grupacionin e parë”, tha Nushi, raporton EO.