Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka zgjedhur që përmes Facebook-ut t’i kërkojë kompanive private të transportit në kryeqytet që të ndalin protestat, duke shtuar se nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi autobusët e rinj, shkruan EkonomiaOnline.
“Disa nga operatorët privat të linjave të transportit publik në Prishtinë edhe sot po protestojnë duke bllokuar rrugët e kryeqytetit. Ankesa kryesore është që kemi ndërhy me autobusë të ri në disa pjesë të qytetit ku ata kanë pas profit, posaçërisht në rrugën Muharrem Fejza dhe në Kalabri (te shkolla ekonomike). Po ashtu transportuesi nga Makovci është ankuar që autobusi i Keqekollës po ja merr udhëtaret sepse të gjithë po kanë dëshirë të voziten në autobusët e ri”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
LEXO Edhe: Protestojnë sërish kompanitë private të autobusëve, paralajmërojnë masa të tjera
Ai ka sqaruar arsyet e qarkullimit të autobusëve të rinj dhe kushtet të cilat duhet të përmbushen nga kompanitë private për kontraktim me komunën:
Kërkesë e kanë që autobusët e ri të tërhiqen nga Kalabria dhe nga Lagja e Spitalit sepse ata kanë pas autobusët e tyre të vjetër në këto linja.
“I ftoj kompanitë që të përgatiten në javët në vijim për këtë aktivitet e mos të protestojnë sepse autobusët e ri nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private. Prishtina ka nevojë për transport prandaj le të mendohet për shërbimin ndaj qytetarëve.”