Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti teksa foli për shtimin e rasteve me Coronavirus, tha se situata është nën kontroll dhe nuk është e nevojshme të ndërmerren masa tjera, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, në menaxhimin e situatës më së shumti po kontribuojnë qytetarët.
“Nuk besoj se do të ketë lëvizje më shumë se ditëve të kaluara. Ju e dini se Qeveria ka vendosur që t’i largojë të gjitha masat të cilat janë në fuqi përveç tubimeve të mëdha, ku mund të ketë më shumë se 50 persona në distancë të vogël dhe ne ende ju themi se mbrojtja më e mirë ndaj virusit është distanca dhe dorëzat që IKShP-ja thotë se është masë mbrojtëse”, tha Ahmeti.
“Nuk besoj, ne kemi pasur diskutime edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKShP, ato janë institucione që vendosin. Unë nuk mendoj se do të ketë ripërsëritje të masave përveç se na humb kontrolli total. Pas rihapjes në valën e tretë, natyrisht se priten që të ketë një numër më të madh të rasteve por lajm i mirë është se nuk kemi raste të rënda dhe fatalitete nga kjo pandemi. Besoj se situata është nën kontroll dhe për këtë po kontribuojnë qytetarët më së shumti”.
Këto komente i pari i kryeqytetit i bëri pasi me kabinetin e tij, bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e 11 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Me këtë rast ai ka thënë se kanë organizuar disa aktivitete, por për shkak të pandemisë numri i tyre është më i vogël.
Kryetari i Prishtinës tha se po punojnë në rregullimin e varrezave dhe se së shpejti duhet të bëjnë ndarjen në kategori, të dëshmorëve dhe veteranëve.
“Sot shënojmë ditën e Prishtinës në 21-vjetorin kur Prishtina është e lirë dhe ne si Komunë nderojmë dëshmorët që kanë dhënë jetën, sakrificën që mund ta jep një njeri”.
“Këto varreza i kemi rregulluar dhe po ashtu po mendojmë që ta marrim projektin nga Ministria që të rregullojmë të tjerat më poshtë”.
“Sot është ende pandemi prandaj, nuk kemi pasur mundësi që të organizojmë aktivitete. Do të organizojmë edhe disa aktivitete, si me parakalimin e FSK-së e disa aktivitete tjera”, tha Ahmeti.
“Do të bëjmë edhe zbulimin e logos së re për Prishtinës, që do të ndihmojë në turizmin e Prishtinës”, tha ai.