Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë që ndodhemi në një situatë të vështirë ekonomike, si shkak i pandemisë Covid 19.
Ahmeti ka thënë që partitë politike duhet të ulen që të bëjnë kompromis për të arritur një zgjidhje.
“Nuk ka më keq se qytetari në kohë paniku t’i dëgjojë disa zëra të cilët vendosin ndryshe. Ata janë të irrituar me politikën sot. Kjo gjë nuk do të duhej të vazhdonte”.
Ahmeti ka theksuar se gastronomia është prioritet në kryeqytet.
“Ka humbje të vendeve të punës dhe ka më pak qarkullim. Është e nevojshme që ne si shtet të fusim para në ekonomi. I kemi ndërmarrë disa masa në komunë. E kemi gastrononimë prioritet. Kemi shumë kafiteri të cilat i kemi mbyllur menjëherë dhe duhet të shohim se si mund t’i ndihmojmë”.
Kryetari Ahmeti ka thënë që është shumë i kënaqur me vetëdijesimin e qytetarëve në këtë kohë pandemie, raporton klankosova.
“Në kryeqytet, numrin e kemi të menaxhueshëm, kemi gjithsej 50 të infektuar. Këto ditë po punojmë të kujdesemi për njerëzit që janë të vetizoluar. Me masat që i kemi marrë prej dezinfektimit të hyrjeve dhe rrugëve, besoj që i kemi mbajtur rastet nën kontroll”.
“Vendimet e patën efektin. Nuk mbaj në mend si dje një ditë të tillë në Prishtinë me aq pak njerëz. Jam i gëzuar që jam kryetar pasi Prishtina po e tregon veten sot”.