Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me bashkëpunëtorët e tij sot kanë pritur në takim përfaqësues të USAID-it nga projekti “Integriteti i Komunave të Kosovës”, të cilët prezantuan rezultatet e arritura nga Komuna e Lipjanit për vitin 2023 në indikatorët e gradimit për komunat partnere.
Kryetari Imri Ahmeti ka falenderuar ekipin e USAID-it për bashkëpunimin dhe asistimin në ndërtimin dhe ngritjen e standardeve të punës në menaxhim sa më efikas dhe sipas këtyre rezultateve që u prezantuan po shifet që ka një progres dhe stabilitet në qeverisjen e fushave që përfshin projekti.
Nga ana tjetër, Aferdita Mekuli zëvendës drejtoreshë a aktivitetit të USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës” ka falenderuar kryetarin Ahmeti dhe Komunën e Lipjanit për bashkëpunimin e mirë që kanë treguar deri më tani.
Komuna e Lipjanit është në mesin Komunave të përzgjedhura nga USAID për implementimin e projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës” që ka për qëllim rritjen e Integritetit dhe llogaridhënies në fushën e procesit të prokurimit, menaxhimit financiar, auditimit të brendshëm dhe menaxhimit të kontratave. Po ashtu edhe në rritjen e përkushtimit ndaj parimeve të qeverisjes së mirë: sundimi i ligjit, transparenca, efiqienca, efektshmëria, reagushmëria, përfshirja dhe pjesëmarrja e qytetarëve.
Rezultatet e gradimit të vlerësuar në 10 tregues dhe 25 nëntregues në fushat e monitoruara, do të pasqyrohen në raportin përfundimtar të hartuar nga ekspertët e USAID-it.