Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Arsimit, Jonuz Salihaj, kanë vizituar shkollën fillore “Faik Konica” me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Me këtë rast Ahmeti ka uruar nxënësit për një vit të mbarë shkollor. Kreu i Prishtinës shtoi se kanë zgjedhur të vizitojnë këtë shkollë për shkak se është bërë renovimi i brendshëm nga qeveria japoneze, raporton Ekonomia Online.
Ai ka treguar se në komunën e Prishtinës janë mbi 45 fëmijë nxënës në 73 institucione shkollore, duke shtuar se me këtë numër të madh nxënësit drejtoria e Arsimit ka përgjegjësi të madhe.
“Sot erdhëm për të vizituar shkollën ‘Faik Konica’. Vizituam nxënësit nëpër klasë. Sot jemi këtu edhe për në arsye tjetër për shkak se është bërë edhe një renovim i brendshëm nga qeveria japoneze”.
“Gjithsej në komunën e Prishtinës janë mbi 45 fëmijë nxënës në 73 institucione shkollore. Me 45 mijë nxënës drejtoria e Arsimit ka përgjegjësi të madhe”, tha ai.
Drejtoresha e shkollës Faik Konica, Gjulie Bala tha se gjatë verës është punuar në mënyrë që mësimi të filloj me kohë.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet. Është punuar 3 muaj vere dhe ne po përpiqemi të krijojmë një vit sa më cilësor për nxënësit”, tha ajo.
Drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj tha se shkolla “Faik Konica” është model për shkollat e tjera, raporton EO.
“Është sfidë për klasat e para dhe të gjashta. Nxënësit janë pajisur me libra. Kjo është një shkollë model se si zhvillohet mësimi, por edhe në mënyrën se si është riparuar”.
“Besoj që viti ka nisur suksesshëm pak me disa probleme mirëpo ato janë të tejkalueshme”, tha ai.