Ahmeti viziton NPB-në, interesohet për rregullimin e hyrjeve

Prishtinë | 10 Tet 2017 | 13:58 | Nga

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili po synon dhe një mandat, së bashku me disa nga kandidatët për Kuvend Komunal të Vetëvendosjes, vizituan sot Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), ku takoi drejtorin Nexhat Krasniqi dhe stafin e ndërmarrjes.

“Kjo ndërmarrje prej vitit 2014, nga një ndërmarrje me fitim rreth 3000 euro, është shndërruar në një ndërmarrje me fitim rreth 300.000 euro. Pra, 100 fish më shumë. Menaxhimi, faturimi dhe inkasomi më i mirë e ka sjellë këtë rritje të të hyrave dhe të fitim. Aktualisht në llogari të ndërmarrjes janë rreth 1 milionë e 500 mijë euro, të cila do t’i përdorë në funksion të rritjes së shërbimeve për qytetarët”, tha Ahmeti.

Nga ky vit, NPB ka nisur shërbimin për rregullimin e hyrjeve kolektive. “Jemi licensuar në Ministri të Mjedisit si kompani që mund ta kryejë shërbimin e mirëmbajtjes së hyrjeve, lyerjes, vendosjes së interfonëve, mirëmbajtjen e ashensorëve, si dhe intervenimet tjera brenda hyrjes. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh për shërbimet e tilla”, theksoi Ahmeti.

Ndërmarrjes Publike Banesore i janë marrë disa prona, si pjesë e shpronësimeve të qeverisë për ndërtimin e autostradave dhe projekteve tjera, në vitin 2010. Ligji thotë se afati i pagesës së shpronësimit është 2 vite. Qe 7 vite, Qeveria nuk ia ka paguar NPB-së mbi 5 milionë e gjysmë euro. NPB e ka paditur Qeverinë dhe ka fituar në shkallën e parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme