Deputetja Aida Dërguti në tubimin zgjedhor të mbajtur në vendlindjen e saj, Vushtrri, ka thënë se me 11 Qershor, qytetarët e kësaj komune e vendosën VV-në si forcën e parë politike.
“Ndryshimi nuk vjen si fytyrë e emër i ri, por si koncept politik e program konkret për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka thënë Aida Dërguti në Vushtrri, duke shtuar se subjektet e tjera kanë përvojë në nepotizëm e korrupsion, kurse VV ka vizion e program që është produkt i mendjeve profesionale.
Dërguti ka thënë po ashtu se lista e VV-së për Kuvendin Komunal përbëhet nga njerëz që kanë dije, guxim e vullnet, dhe se ajo ka në krye një njeri që e do gjithë Vushtrria, Ali Jonuzin, për të cilin ka thënë se përfaqëson virtytet më të larta njerëzore.
Ndërsa për kandidatin për kryetar të Vushtrrisë, Bezim Muzaqin, tha se bashkë me ekipin e tij, do ta hapin një kapitull të ri për Vushtrrinë.
“Me 22 Tetor, përcaktohuni me numrin 10, me mendje e me zemër, e me besim për ndryshim”, ishte porosia e Dërgutit për bashkëqytetarët e saj nga Vushtrria.