Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” nuk është i plotë në asnjë aspekt. Pavarësisht që është institucion qendror i kulturës, i mungojnë gjëra elementare të funksionimit. Në raport me stafin profesional, krejt të tjerat, përfshirë edhe instrumentet e amortizuara, kalojnë në plan të dytë.
Si ansambël kombëtar ka për detyrë edhe të ruajë e interpretojë muzikën popullore. Për këtë e bart edhe barrën kryesore.
Por “Shota” nuk ka instrumentistë për çifteli, sharki, violinë, flaut e obo. I mungon formacioni i korit e nuk ka asnjë solist. Problemet sa i përket stafit priten të thellohen, pasi një pjesë e punonjësve i janë afruar pensionit. Në mënyrë që Ansambli ta vazhdojë punën, menaxhmenti së bashku me Këshillin Drejtues e atë Artistik kanë vendosur që ta hapin “Akademinë e të rinjve” në kuadër të institucionit. Konkursi për pranimin e nxënësve prej moshës 10 deri në 16-vjeçare do të hapet këtë javë. Qëllimi është që ata që pranohen ta përfundojnë një kurs që do të zgjasë tre vjet.
Drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, ka numëruar disa arsye që i kanë shtyrë për ta hapur “Akademinë e të rinjve”.
Pamundësia e kompletimit të trupës artistike dhe krijimit të vendeve të punës janë vetëm dy prej tyre. Ka treguar se gjithmonë janë të detyruar që nëpërmjet bashkëpunëtorëve të jashtëm ta kompletojnë ansamblin.