Shkruan: Akademik Hivzi Islami
(Me rastin e përurimit të librit të tij “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë (2008-2016)”, AShAK, 2022)
Është i njohur fakti se diplomatët e kujdesshëm, me formësim të gjithanshëm dhe të përkushtuar në misionin e tyre për ta përfaqësuar sa më dinjitetshëm shtetin e tyre, sidomos ambasadorët e karrierës, lënë shkrime dhe dëshmi në formë të kujtimeve, ditarëve apo edhe autobiografive për vendet ku kanë shërbyer dhe raportet e tyre me vendin që e përfaqësojnë. Një rrëfim përtej këtyre modeleve, në formë të librit, na la edhe ambasadori Muhamedin Kullashi. Libri pasqyron historikun e marrëdhënieve franko-kosovare, kryesisht për një periudhë rezultative për ne, që kapë vitet 2008-2016, kur ai ishte ambasador i parë i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Francës.
Prof. M. Kullashi edhe para se të emërohej ambasador në Paris, si profesor i filozofisë në Universitetin Paris 8, gati dy dekada ishte ambasador joformal i Kosovës në këtë vend: ishte i pranishëm në çdo sferë të shoqërisë franceze, para së gjithash në qarqet akademike, intelektuale dhe mediatike, ku luftonte për përhapjen e të vërtetës për Kosovën dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Që në vitin 1992, prof. Kullashi mori pjesë aktive në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris pranë revistës prestigjioze për shkencat shoqërore “Esprit”, së bashku me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Brucner, André Glusksman, Véronique Nahoum-Grap, Edgard Morin, Claud Lefor etj. Komiteti për Kosovën zhvilloi aktivitete të shumëta deri në vitin 2015, duke luajtur një rol të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht në kohën e agresionit të regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta. Prof. Kullashi me anëtarët e këtij Komiteti arriti të takohej në vitin 1999 dy herë me Presidentin J. Chirac gjatë bombardimeve të NATO-s për ta kurajuar që t’i mbështeste bombardimet mbi caqet legjitime ushtarake dhe policore serbe, ngase ai kishte disa hezitime në sulmet e NATO-s mbi disa caqe serbe. Ai edhe vuri veto në bombardimin e Marinës dhe të Gazelës – urat e Beogradit!
Një shtet, i cili pothuajse historikisht, ishte në anën e Serbisë, në një periudhë vendimtare për Kosovën, u rreshtua mbarë: u shkëput nga politika e Presidentit F. Miteran si proserb i dëshmuar jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe të Bosnje e Hercegovinës. Franca si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së iu bashkua aleatëve në bombardimin e Serbisë më 1999, kur Presidenti Jasques Chirac, në ditarin e lajmeve në TV-në shtetërore çdo ditë e njoftonte dhe e kurajonte opinionin se duhet ta mposhtin barbarinë serbe, siç e quante ai, në ndaljen e tragjedisë humanitare dhe politikës së spastrimit etnik të shqiptarëve. Këtë e bënte edhe Kryetari i Qeverisë Lionel Jospin. Në vitin 2008, Franca ishte ndër të parat që e njohu Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Vetëm disa ditë para shpalljes së njohjes zyrtare, Presidenti Nicolas Sarkozy shkoi në një shkollë fillore dhe para një harte të botës u tha nxënësve se këto ditë kësaj harte do t’i shtohej edhe një shtet i ri, me emrin KOSOVA! Presidenti tjetër, François Holland drejtpërdrejt u angazhua për pranimin e Kosovës në FRANKOFONI në vitin 2014, një organizatë shumë e rëndësishme sot në botë. Prof. Kullashi, në rrethana dhe kontekste të ndryshme, kishte disa kontakte me këta presidentë!
Prof. Kullashi është autor i më se 20 librave shkencorë dhe i shumë artikujve shkencorë-profesionalë, të botuar në revista profesionale-shkencore, kryesisht në botën e jashtme, para së gjithash nga historia e filozofisë, filozofia politike, etika, sociologjia, politika dhe diplomacia, pastaj autor i problemit të identiteteve, i mendimit politik modern etj. Disa libra shkencorë dhe shumë artikuj i ka botuar edhe në Akademinë tonë nga këto fusha. Më shumë ka botuar në Francë ku ka qenë profesor i filozofisë bashkëkohore frenge më se tri dekada – deri në pensionim.
Duke qenë ende i njomë libri i tij “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, i botuar më 2021, doli libri tjetër në vitin 2022 me titull “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë (2008-2016)”, të cilin po e përurojmë sot; librat janë komplementarë dhe janë botim i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK.
Në librin “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë (2008-2016)” shqyrtohen aktivitetet e Ambasadës së Kosovës në Francë në periudhën 2008-2016, kur z. Kullashi ishte ambasador i Kosovës në këtë vend. Këtu analizohet roli i kësaj Ambasade në ndërtimin e bashkëpunimit midis autoriteteve të Kosovës dhe të Francës, midis instancave qeveritare të dy vendeve, pastaj në nivelin e Presidencave dhe të Kryeministrive, në veçanti pasqyrohen aktivitetet diplomatike në zhvillimin e bashkëpunimit në rrafshin e arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë. Trajtohet gjithashtu zhvillimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të vendosura në Francë, si dhe roli i diplomacisë franceze në mbështetjen e komunikimit dhe bashkëpunimit të diplomacisë së Kosovës me organizatat ndërkombëtare në Francë: me Parlamentin Evropian, me Këshillin e Evropës (në Strasbourg), me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, me Organizatat ndërkombëtare, si ajo e Frankofonisë (OIF), e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) etj., sikundër edhe me bashkëpunimin me diplomacinë franceze lidhur me njohjet nga shtetet frankofone (sidomos në Afrikë e Azi) dhe shtete të tjera te të cilat Franca kishte një ndikim të theksuar politik e ekonomik, por edhe bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike të më se 160 vendeve, nga kontinente të ndryshme, që janë të vendosura në Paris. Ambasadori Kullashi u angazhua shumë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ku pati takime me më shumë se 40 ambasadorë, kryesisht të vendeve afrikane, duke ua shpjeguar situatën në Kosovë. Por mungesa e koordinimit të punëve të organeve tona më të larta shtetërore me qeveritë e vendeve votuese, bëri që të dështonim për 3 vota: na duheshin 2/3 e votave ose 95 gjithsej, ndërsa ne i morëm 92 vota! 20 vende që e kishin pranuar pavarësinë e Kosovës nuk votuan pro hyrjes së saj në UNESCO!
Në ligjërimet politike e diplomatike në Francë personalitete të shquara e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe në saje të analogjisë me themelimin e BE-së pas Luftës së Dytë Botërore afirmohej angazhimi që të mos rikthehen në Evropë krimet masive mbi popullsitë civile në emër të ideologjive anakronike dhe ekstremiste. Në këtë botim trajtohet edhe roli i diplomacisë franceze rreth vendimit të GJND-së për Kosovën më 2010 e njëherit edhe qëndrimi i saj ndaj dialogut dhe negociatave midis Kosovës dhe Serbisë në Bruxelles. Në këtë libër analizohen po kështu edhe perceptimet e Kosovës, nga qarqet diplomatike të vendeve të ndryshme me seli në Francë pas pavarësimit të saj.
Këto shqyrtime dhe analiza kanë parasysh traditën teorike e praktike të diplomacisë në Francë dhe në disa vende të tjera të Evropës, sikundër edhe teoritë dhe praktikat diplomatike në kohën e formimit të sistemit shtetëror evropian dhe të formimit të së drejtës ndërkombëtare, por edhe refleksionet teorike në analizat për diplomacinë brenda suazave kulturore dhe socio-profesionale të shekullit XX, me theks të veçantë te negociatat për vendosjen e paqes dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në libër shqyrtohen edhe qasjet krahasuese ndaj kulturës, ligjërimit dhe teorive e praktikave diplomatike, kryesisht në Francë, sidomos pas themelimit të Bashkësisë Evropiane. Z. Kullashi ka shfrytëzuar edhe literaturë relevante mbi historinë e diplomacisë franceze dhe të politikës së jashtme të BE-së.
Brenda teorive diplomatike moderne, praktika diplomatike merret si shtyllë e sistemit ndërshtetëror, me kulturën e negociimit si pjesë e kulturës politike evropiane. Ndërkaq, dinamika e zhvillimit dhe profesionalizimit të institucioneve diplomatike për udhëheqjen e marrëdhënieve ndërkombëtare do të shpie te bashkëpunimi midis sferës politiko-diplomatike dhe asaj akademike e shkencore.
Misioni diplomatik i Kosovës në Paris gjatë vitit 2009 ka përqendruar aktivitet e veta së paku rreth dy objektivave kryesore: puna me diplomatët, ambasadorët dhe këshilltarët e vendeve që ende nuk e kishin njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe dy, puna me institucionet franceze, në radhë të parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës – e njohur tradicionalisht si Quai d’Orsay.
Ambasadori Kullashi ka takuar ambasadorë të vendeve afrikane e latinoamerikane, e në veçanti diplomatë të Afrikës frankofone. Në të njëjtën periudhë ai ka takuar edhe ambasadorë të vendeve të BE-së, SHBA-së dhe vendeve të Azisë, duke kërkuar prej tyre mbështetje për të zgjeruar ndikimin te diplomatët e vendeve që ende nuk e kishin pranuar Kosovën, e njëherit duke i afirmuar pranë tyre interesat gjeopolitike e ekonomike të vendit tonë dhe objektivat e institucioneve tona shtetërore.
Këto njohuri dhe informata kanë qenë të nevojshme në sajimin e një argumentimi specifik, varësisht nga përfaqësuesit e vendeve me të cilat komunikonin, lidhur me pranimin e Kosovës: as sensibiliteti politik i përgjithshëm, as interesat ekonomike e strategjike të këtyre shteteve nuk ishin të njëllojta, e as rezervat që ushqenin ato karshi Kosovës. Marrja në konsideratë e specifikave gjeopolitike të këtyre vendeve ishte e nevojshme që shpjegimet për legjitimitetin e pranimit të pavarësisë së Kosovës të bëheshin më mirë të argumentuara.
Në ceremonitë diplomatike në Presidencën e Francës dhe në disa Ministri, pas pavarësisë, përveç me ambasadorë, Kullashi ka pasur rastin të bisedoj për situatën e Kosovës, disa herë, me Presidentin N. Sarkozy, me Ministrin B. Kouchner, Kryeadministrator i parë i OKB-së në Kosovë, pastaj me Ministrin e Punëve Evropiane Pierre Lelouch, me ish-Ministrin Jack Lang, ish-Ministren Catherine Lalumière, me ish-Ministren Martine Aubry, me Jacques Delorin, ish-kryetar i Komisionit Evropian, por edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Benin-it, vend ky që ende nuk e kishte njohur Kosovën. Njëherit ai pati rastin ta takoj Kryetarin e Republikës Dominikane, që rezultoj edhe me njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur më 2009.
Aktiviteti i ambasadorit tonë është përqendruar edhe në kontaktet me personalitete të çmuara të jetës intelektuale e kulturore të Francës, si dhe në tubimet ndërkombëtare lidhur me perspektivën evropiane, psh. në institucionin prestigjioz Maison de l’Europe de Paris etj. Në këtë drejtim kanë shkuar edhe intervistat e tij si ambasador për kanale të ndryshme të radiove e televizioneve, si France inter, France culture, RFI, radio Vatikani frëngjisht etj. dhe për disa gazeta, sikurse Le Parisien, Le Monde, La Libération, Le Figaro, La Croix etj. Prania e profesor Kullashit në mediat e mëdha franceze që nga viti 1991 ishte vërejtur edhe nga diplomatët francezë në nivele të ndryshme. Gjithnjë i ka evituar rrëfimet propagandistike, i bindur se ato nuk prodhojnë besueshmëri e aq më pak ndikim dhe respekt për pohimet publike lidhur me vendin të cilin e përfaqësonte.
Në vitin 2009, krahas aktiviteteve të rregullta diplomatike, misioni diplomatik i Kosovës do të organizojë tri konferenca: e para trajtoi investimet ekonomike të ndërmarrjeve franceze në Kosovë; e dyta zhvilloi analizën retrospektive të ngjarjes së dëbimit të 900.000 kosovarëve (me rastin e 10 vjetorit), kurse e treta ishte Java e Kulturës Kosovare në Paris. Këto tri manifestime që i përkisnin tri fushave të ndryshme (ekonomi, politikë dhe kulturë) do të shoqërohen me aktivitetin e rregullt diplomatik karshi korit diplomatik ndërkombëtar në Paris, si dhe me përpjekjet për krijimin e lidhjeve midis Ministrive të Francës dhe Ministrive të Kosovës, por edhe me krijimin e lidhjeve midis parlamenteve të dy vendeve. Ky mision mundësoi veç tjerash edhe lidhjen e konventave dypalëshe midis Kosovës dhe Francës.
Ambasadori Kullashi e bën edhe një analizë të tekstit prej 70 faqesh të delegacionit të ekspertëve francezë pranë GJND-së lidhur me çështjen që e shtroi Serbia se a është Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare? Ekspertët juridikë francezë, siç bën të ditur autori, në analizën e tyre fuqizojnë pavarësinë e Kosovës edhe me faktin e abstenimit të organizatave të mëdha ndërkombëtare që ta dënojnë apo t’i bëjnë vërejtje Deklaratës për pavarësi të Kosovës. Ata ekspertë saktësojnë se në veçanti abstenimi i organeve të OKB-së është “shumë domethënës” meqë ato kishin autorizime të veçanta që i takonin Këshillit të Sigurimit dhe UNMIK-ut. Domethënia ka të bëjë me faktin se ato organe nuk kishin konstatuar asnjë cenim të parimeve që buronin nga rezoluta 1244 (e vitit 1999), konkretisht me adoptimin e Deklaratës së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.
Duke marrë parasysh analizat paraprake, juristët francezë theksonin se “nuk është fare e befasishme që Këshilli i Sigurimit, sikurse edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e po ashtu edhe Asambleja e Përgjithshme, si dhe BE-ja, të kenë abstenuar që të formulonin edhe vërejtjet më të vogla të Deklaratës.” Mungesa e çfarëdo vërejtje apo dënimi i Deklaratës së Pavarësisë nga ndonjëri nga organet e OKB-së e konfirmon konstatimin e mëparshëm se ato qartazi nuk e kanë parë atë si diçka që nënkupton një shkelje të së drejtës ndërkombëtare apo si diçka që vë në rrezik paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit diplomatiko-politik ka qenë e përqendruar te mënyra e trajtimit të çështjes së monumenteve të kulturës kosovare në UNESCO, në veçanti të kishave ortodokse. Në saje të ndihmës së ambasadorëve të disa vendeve mike në UNESCO, ambasadori Kullashi nga viti 2011 do të takoj gjatë pesë viteve ambasadorët e Komisionit për Trashëgimin e Kulturës në UNESCO dhe ambasadorët tjerë të akredituar në UNESCO, zyrtarë të lartë të këtij institucioni, si dhe zyrtarë të MPJ-së së Francës. Qëllimi i këtyre takimeve ishte kundërvënia ndaj propagandës së disa delegacioneve në UNESCO lidhur me çështjen e monumenteve të kulturës së Kosovës: në veçanti lidhur me manipulimet historiko-politike për këto monumente dhe me propagandën për kinse “rrezikimin e tyre” në Kosovë, propagandë kjo që kishte për qëllim të ofroj një imazh të shtrembëruar për Kosovën dhe institucionet e saj.
Nga organizatat ndërkombëtare me seli në Paris në të cilat Kosova do të anëtarësohet, më e rëndësishmja është Organizata ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF), në përbërjen e së cilës janë afro 90 shtete. Me këtë anëtarësim Kosova shënoi një arritje shumë të rëndësishme në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar, aq më tepër se OIF është pjesë e OKB-së dhe ka një ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fakti që anëtarësimin e Kosovës e kanë mbështetur edhe 21 vende të OIF-it që ende nuk e kishin njohur Kosovën, doemos do të reflektohej pozitivisht në përafrimin e Kosovës me këto vende, ngase brenda strukturave dhe OIF-it do të ketë veprimtari të përbashkëta në shumë fusha. Në anën tjetër, takimet Ministrore të vendeve anëtare për çdo vit, takimet e shefave të shteteve dhe qeverive çdo dy vjet të 80 shteteve (23 prej të cilave kanë status vëzhguesi), krijuan një hapësirë të bashkëpunimit të përqendruar jo vetëm me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe me shumicën e madhe që tanimë e kishin njohur Kosovën.
Misioni diplomatik i Kosovës në Francë ka arritur edhe një numër të konsiderueshëm të njohjeve dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, veç tjerash me Gabonin, Beninit, Republikën Dominikane, Çadin, Xhibutin dhe Afrikën Qendrore. Kullashi ka ushtruar njëheri funksionin e ambasadorit-jorezident në Portugali, Andorë dhe Monako. Së këndejmi, në libër janë analizuar format konkrete të ndërtimit të marrëdhënieve të Kosovës me rrjetet diplomatike jo vetëm me disa vende evropiane, por edhe me ato të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.
Prania aktive e misionit tonë diplomatik në Paris ka gjetur shprehje edhe në pjesëmarrjen e ambasadorit tonë gjatë tetë viteve, në konferenca të rëndësishme politiko-diplomatike ndërkombëtare që janë zhvilluar në kryeqendrën e Francës. Pjesëmarrja në këto konferenca ndihmonte afirmimin e legjitimitetit të shtetit të ri të Kosovës dhe formësimin e relacioneve me aktorë të ndryshëm politikë e diplomatikë jo vetëm të Francës, por edhe të vendeve tjera që mernin pjesë aty.
Dihet se diplomacia artikulon relacionet që mbajnë shtetet midis tyre, duke i dhënë kuptim raporteve të tyre, e njëherit synimeve dhe strategjive e tyre në krijimin dhe mbajtjen e aleancave. E këto gërshetohen edhe me interesat e tyre ekonomike dhe me ato të sigurisë. Ky aspekt është i rëndësishëm edhe për Kosovën si shtet i cili doli nga lufta, duke u mbështetur nga fuqitë perëndimore. Kjo mbështetje për çlirimin e saj nga sundimi i Serbisë u bë pastaj bazë politike për ndërtimin e aleancave me këto shtete. Kësodore, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës janë mbajtur disa herë konferenca të ambasadorëve të Evropës Qendrore e Lindore dhe të Ballkanit. Në anën tjetër, në institucionin prestigjioz “Maison de l’Europe de Paris” janë mbajtur disa konferenca mbi Kosovën dhe orientimin e saj pro-evropian. Këto çështje të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës janë trajtuar bashkë me një publik me nivel të lartë politiko-diplomatik dhe shkencor.
Në përmbyllje mund të konkludojmë se bëhet fjalë për një botim të veçantë, që paraqet një dëshmi se si kanë frymuar marrëdhëniet franko-kosovare dhe si mund të frymojnë në të ardhmen. Botimi është realizuar brenda një kornizë metodologjike adekuate për natyrën e rrëfimeve të këtilla, i begatë me të dhëna e fakte relevante dhe paraqet një referencë të rëndësishme për çështjet që shqyrtohen, aq më tepër që autori ishte drejtpërdrejtë i angazhuar në prezantimin dhe përhapjen e të vërtetës për Kosovën, tok me intelektualët, shkencëtarët dhe diplomatët më në zë të Parisit.
Shpresojmë që rrugën e ambasadorit Kullashi, do ta ndjekin edhe ambasadorët tjerë, që kanë shërbyer në vende të ndryshme!