Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në tërë komunat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
AKB dhe AKK kërkuan gjithashtu nga Qeveria e Kosovës që ta funksionalizojë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se në bashkëpunim me komunat e Kosovës, synojnë ta përmirësojnë imazhin që investitorët e huaj e kanë për Kosovën.
Ai tha se me këtë marrëveshje, synojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik me komunat.
“Ne si AKB kemi menduar që të nënshkruajmë një marrëveshje për eliminimin e gjitha pengesave gjatë investimeve në komunat e Kosovës. Edhe pse komunat e Kosovës janë të limituar me prona nuk janë të limituar për tu ofruar vlerat në komunat e Kosovës. Më së shumti është renduar ekonomia e vendit njëra nga pandemia por edhe kriza që tashmë është prodhuar për shkak të mungesës së strategjisë së Kosovës. Ne bashkërisht do mundohemi që ndërmjet Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik t’i japim propozimet tona që kanë të bëjnë me ekonomitë e prodhuesve dhe të ndryshojmë imazhin që investitorët kanë për neve”, tha Shahini.
“Bizneset e Kosovës janë fuqizuar shumë dhe kanë marr tregje edhe jashtë Kosovës jo që Qeveria i ka mbështet por kanë pas shkathtësi. Shumë licenca dhe dokumente kërkohen nga qeveria qendrore. Qeveritë lokale nuk kanë të bëjnë asgjë me licenca. Ky momerandum bashkëpunimi ka të vetmin qellim të rritë bashkëpunimin ekonomik”, tha ai.
Të njëjtën gjë e kërkoi edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Agim Aliu. Aliu pati fjalë të mira për AKB-në, për të cilën vlerësoi lartë rolin në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Jemi këtu të nënshkruajmë një marrëveshje për rritjen e zhvillimit dhe avancimin ekonomik. Gjitha bizneset që ju përfaqësoni për atë që është rritur, gjithë ajo që është shënuar, nuk do ishte e mundur pa mundin dhe pa përkushtimin e bizneseve. Sigurisht që Aleanca dhe Bizneset kanë pasur edhe ditët jo të lehta. Me ritëm dhe dinamikë të shënojmë së pari qëndrueshmërinë pastaj edhe progresin”, tha ai.
Kryetari i sektorit të ndërtuesve të Kosovës, Brahim Selimi foli për pengesat që kanë drejtuesit në marrjen e lejeve ne komunë.
“Ekonomia e Kosovës është një ekonomi që nuk do koment. Në sektorin e ndërtimit në Kosovë ka barriera ku ne kërkojmë nga kryetari bashkë me Qeverinë t’i largojnë anët burokratike të licencave. Unë këtë marrëveshje e shoh si pikënisje që në të ardhmen dëshiroj qe korrelacioni mes komunave dhe Qeverisë të jetë më i afërt. Me marrjen e lejeve të ndërtimit në 80 për qind të komunave nuk mund të bëhet një anë elementare një investitor për shkak të burokracionit të licencave”, tha ai.
Derjtori i Asociacionit të Komunave Sazan Ibrahimi tha se gjitha komunat e Republikës së Kosovës pothuajse janë duke e bërë të pamundurën në lirimin e taksave të bizneseve.
“Ne si asociacion gjithmonë do të jemi gati që të ofrojmë atë që ndoshta niveli qendrorë nuk mund të ofrojë, garancionet e pushtetit lokal që të jetë më afër bizneseve. Gjitha komunat e Republikës së Kosovës pothuajse janë duke e bërë të pamundurën në lirimin e taksave të bizneseve, por gjithashtu janë duke i përkrahur maksimalisht edhe bizneset apo start-up. E nga aspekti gjinor janë duke i dhënë përparësi aspektit gjinor duke i favorizuar gratë që janë në biznese”, tha Ibrahimi. .
E Lumnie Hajdini, menaxhere e projekteve në AKB, kërkoi që Qeveria ta funksionalizojë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
“Kemi bërë punë shumë të rëndësishme edhe gjatë kohës së pandemisë që t’i ndihmojmë bizneset sepse ishte kohë shumë e vështirë. Kërkojmë prej Qeverisë që ta funksionalizojë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik”, tha ajo.