AKB dhe Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fushat ekonomike, juridike dhe sociale, si dhe të rritjes së informimit të bizneseve për procedurat përmbarimore, raporotn Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se marrëveshja synon të ngritë nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe të ofrojë më shumë informim për bizneset lidhur me procedurat dhe mundësitë për arritjen e marrëveshjeve ndërmjet palëve në kuadër të proceseve përmbarimore.

“Jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje mes dy institucioneve tona, Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Odës së Përmbaruesve të Kosovës, me qëllim që të avancojmë bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat ekonomike dhe juridike. Synimi është që ta ngremë nivelin e bashkëpunimit dhe të informimit të bizneseve të Kosovës mbi procedurat dhe mundësitë për arritjen e marrëveshjeve ndërmjet palëve që kanë të bëjnë me procedurat përmbarimore”, tha Shahini.

Ai theksoi se Oda e Përmbaruesve të Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve janë institucione që kanë për mision mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe mbështetjen e iniciativave ekonomike e juridike, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve.

“Është një marrëveshje reciproke, sepse mbrojmë interesat e njëra-tjetrës. Në harmonizim me njëra-tjetrën do të veprojmë në kuadër të kësaj marrëveshjeje, të cilën sot po e nënshkruajmë me vullnet të mirë, me vullnet të lirë dhe me dëshirën që kjo marrëveshje ta avancojë bashkëpunimin mes institucioneve tona”, shtoi Shahini.

Ndërsa, kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Mehdi Reshani, tha se iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit jo vetëm në aspektin juridik dhe ekonomik, por edhe në atë social.

“Kemi marrë iniciativën që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi me arsyen që ta avancojmë nivelin e bashkëpunimit edhe në aspektin juridik, ekonomik dhe social. Me të vërtetë, synojmë që bashkëpunimi ynë të avancohet sa më shumë që të jetë e mundur dhe të punojmë në atë drejtim”, u shpreh Reshani.

Ai tha se përmes punëtorive dhe aktiviteteve të përbashkëta synohet rritja e nivelit të njohurive dhe profesionalizmit në çështjet juridike dhe ekonomike, duke vlerësuar se një profesionalizëm më i lartë do të ndikojë pozitivisht edhe në sektorin e biznesit.

“Pikërisht përmes punëtorive të përbashkëta synojmë ta rrisim nivelin e trajtimit të çështjeve juridike dhe ekonomike. Sa më i lartë të jetë profesionalizimi, aq më shumë do të ndikojë edhe në anën biznesore, në çështjet juridike dhe në eliminimin e zvarritjeve të paarsyeshme”, theksoi Reshani.

Marrëveshja synon të krijojë një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet dy institucioneve, në funksion të lehtësimit të proceseve, rritjes së informimit dhe profesionalizimit, si dhe mbrojtjes së interesave të bizneseve dhe palëve të përfshira në procedurat përmbarimore.

Të ngjashme