AKK-ja bën thirrje të ndalen sulmet e Haxhiut ndaj Tahirit

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me një debat të ashpër të zhvilluar në rrjetin social Facebook ndërmjet saj dhe kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Përmes një reagimi, Asociacioni i Komunave i ka cilësuar si të papranusheme sulmet e ministres Haxhiu.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim thuhet se të gjithë kryetarët e komunave janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror.

“Sigurojmë znj. Haxhiu që secili Kryetar i Komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror. Sulmet në media ndaj Kryetarëve të zgjedhur të Komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit”, thuhet në reagim.

Ata kanë kërkuar nga ministrja Haxhiu ta tërheq kërcënimin publik ndaj Tahirit.

“Prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit Kryetar Komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm. Ftojmë Ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Tahiri”, thuhet në reagim.

Polemika mes Haxhiut dhe Tahirit kishte nisur në lidhje me punimet që kanë rifilluar në pronën e ish Hotel Vicianum.

Ministrja Haxhiu ka paralajmëruar ngritje të kallëzimit penal në rast se nuk ndalen punimet e rifilluara në këtë pronë.

“z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale!”, shkroi Haxhiu.

Pas këtij postimi të Haxhiut, kishte reaguar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahiri ka shkruar në Facebook se Haxhiu po bën presion publik për të zgjidhur problemet juridike të ministrisë, që i ka krijuar vetë.

“Të gjitha Qeverive dhe të gjithë Kryeministrave e Ministrave të Drejtësisë u kam kërkuar në emër të Komunës së Vushtrrisë, kthimin e pronës së ish Vicianum për interes të qytetarëve të Vushtrrisë. Asnjëri nuk e ka kthyer. As Albulena Haxhiu nuk po ja kthen pronën Komunës së Vushtrrisë. Pa zotësinë e saj po e mbulon me kërcënime boshe”, ka shkruar Tahiri.

Ai kishte thënë se nuk i frikësohet shantazheve, derisa ka insistuar se aty do të ndërtohet Stacioni i Autobusëve.

“Nuk frigohem e nuk shantazhohem, e kam një qytet me vete sepse aty duhet të bëhet Stacioni i Autobusëve dhe pikë”, ka shkruar Tahiri.


Të ngjashme