Agjencia Kundër Korrupsionit është e vendosur se ngritja e pagës së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vartësve të tij është në konflikt të interesit edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në një përgjigje për KALLXO.com nga Agjencia Kundër Korrupsion kanë thënë se mbeten prapa vendimit të tyre.
“Agjencia kundër Korrupsionit në përputhje me Aktgjykimin 1258/18 e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht piken 113, mbetet prapa opinionit të vet, të lëshuar me datë 29.01.2018, lidhur me Vendimin nr. 04/20 për caktimin e pagës mujore për kategori të caktuara të pozitave, përfshirë ngritjen e pagës së Kryeministrit, zëvendës kryeministrave, ministrave, këshilltarëve, dhe një kategorie të shërbyesve civilë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 20.12.2017.
Pika 12 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese vlerëson se nuk është në kompetenca të Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse vendimi bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe se për këtë ka dhënë tashmë mendim Agjencia Kundër Korrupsion.
Për më tepër nga AKK paralajmërojnë se do të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore e këtu sipas Ligjit nuk përjashtohet as kallëzimi penal ndaj personave përgjegjës.
Paragrafi 3 i nenit 24 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në zbatim në Kosovës parasheh rastet kur mund të ushtrohet kallëzim penal.
“Agjencia, çdo zyrtar, udhëheqës i zyrtarit dhe çdo institucion ushtrojnë kallëzim penal në prokurorinë e shtetit kompetente ndaj zyrtarit i cili shkel detyrimet e parapara me këtë ligj, e që përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, përcakton ligji.
Agjencia Kundër Korrupsion me opinionin e datës 19 janar 2018 kishte gjetur se ishte paraqitur situata e konfliktit të interesit në vendimin e për ngritjen e pagës së kryeministrit dhe disa prej vartësve të tij.
Pas kësaj ky vendim ishte pezulluar nga Qeveria e Kosovës, për tu ri fuqizuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se vendimi nuk binte ndesh me Kushtetutën e Republikës.
Megjithatë, siç citon AKK, vendimi i Kushtetueses nuk e kishte trajtuar çështjen e konfliktit të interesit.
Nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kanë përfituar edhe vetë anëtarët e kësaj gjykate.
Javën e kaluar, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ekipi i tij i këshilltarëve deklaruan se nuk duan t’i marrin pagat me rritje.