AKP ia lëshon me qira Policisë së Kosovës objektin e hotel “Victory”

Prishtinë | 05 Nën 2016 | 12:49 | Nga

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka njoftuar se ia ka dhënë me qira Policisë së Kosovës objektin e ish-Hotel Victory, që për shumë vite ishte mbajtur i uzurpuar nga Bedri Selmani.

Lajmin për qiradhënien e këtij objekti e ka dhënë AKP përmes një komunikate për media, ku thuhet po ashtu se është miratuar qiradhënia edhe për asete të tjera.

Objekti që i është dhënë me qira policisë ishte mbajtur i uzurpuar që nga viti 1999 nga Selmani, që një kohë ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaci, aktualisht president i vendit.

Selmani ishte vendosur në këtë objekt me bekimin e Azem Sylës në vitin 1999, sa ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi. Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes Auto Prishtina ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.

Ja edhe komunikata e plotë e AKP-së:

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës nën kryesimin e z. Petrit Gashi, ku u diskutuan çështje të shumta të përcaktuara me Rendin e Ditës dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në vend.
Fillimisht Bordi u njoftua nga Komiteti i Auditimit për planin e adresimit të Rekomandimeve të Njësisë së Brendshme të Auditimit dhe për Planin e Adresimit të Rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Po në këtë mbledhje Bordi diskutoi dhe aprovoi planet e punës së Njësisë së Auditimit të Brendshëm për vitin 2017 si dhe Strategjinë e kësaj Njësie për vitin 2017-2019.

Menaxhmenti i Agjencisë raportoi para Bordit për aktivitetet e fundit të AKP-së dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen.

Bordi diskutoi raportin mujor të punës për gjendjen në Trepçë. Në këtë mbledhje Bordi u njoftua rreth aktiviteteve dhe progresit të kompanisë të angazhuar në studimin e fizibilitetit të Trepçës ku poashtu u informua që Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Listës Sërpska dhe njëkohësisht shpalli që Ligji për Trepçën është kushtetues dhe hyn ne fuqi pas nënshkrimit nga Presidenti. Bordi poashtu diskutoi për periudhën transitore mes pranim dorëzimit të Trepçës tek Qeveria.

Bordi gjithashtu u njoftua lidhur me takimin që Menaxhmenti i AKP-së ka mbajtur me menaxhmentin e NSH Sharr Inex Brezovica me kërkesën e këtyre të fundit për tu kthyer nën Menaxhim të Agjencisë dhe njëjtën kohë kërkesën për ndihmë nga Agjencia për funksionimin e ndërmarrjes dhe përgatitjeve për sezonin dimëror.

Bordi diskutoi edhe për procesin e privatizimit dhe valëve të ardhshme të shitjeve të aseteve dhe gjatë kësaj mbledhje aprovoi listën e aseteve që do të tenderohen në valën e 28 të shitjes së aseteve përmes likuidimit.

Në lidhje me ndërmarrjen shoqërore “Boksitet e Kosovës”, Bordi për shkak të keq menaxhimit shkarkoi Bordin Mbikëqyrës të N.Sh Boksitet nën administrim të drejtpërdrejt të AKP-së dhe mori vendim të autorizoj menaxhmentin e AKP-së të caktoj një menaxher të përkohshëm për këtë ndërmarrje.

Bordi aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e tri ndërmarrjeve shoqërore; N.Sh Banja,N.Sh Koreniku dhe N.Sh. Komuna në shumën prej 251,637.25€. Bordi po ashtu miratoi raportin katër vjeçar Korrik 2012-Korrik 2016 me konsorciumin Delloitte Tashko Pustina për kontratën e likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore. Bordi po ashtu miratoi qiradhënien e asetit të Auto Prishtina (ish-Hotel Victoria) për Policinë e Kosovës dhe disa qiradhënie të aseteve të tjera.

Mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për datën 23 nëntor 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme