AKP-ja ia humbi NPB-së nëntë muaj kohë për përcaktimin e vijës së parcelave

Prishtinë | 25 Kor 2022 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja Publike Banesore tash e nëntë muaj nuk ka arritur t’i vazhdojë punimet në ndërtimin e projektit në Lakrishte, pasi pengesë për ta ishte përcaktimi i vijës së parcelave ndërmjet NPB-së dhe AKP-së.

Përmes një komunikate për medie, NPB thotë se këto muaj ishin humbje kohe, duke i rrezikuar edhe dërgimin në arbitrazh.

“Tash e 9 muaj NPB ka hasë në pengesa të ndryshme administrative nga AKP-ja si rezultat i së cilave është pezulluar puna në ndërtimin e projektit në Lakrishte. Këto pengesa ndërlidheshin me përcaktimin e vijës së parcelave në mes NPB-së dhe AKP-së. Pas gjithë këtyre 9 muajve, vija tashmë është përcaktuar dhe atë – sipas të njëjtit propozim fillestar duke dëshmuar që gjithë këta muaj ishin vetëm një humbje e panevojshme kohe për NPB-në duke na rrezikuar hyrjen e padëshiruar në një proces të mundshëm arbitrazhi”, thuhet në komunikatë.

“NPB qëndron e përkushtuar në rritjen e saj të pasurisë së paluajtshme përmes projektit të ndërtimit në Lakrishte me qëllim që në një të ardhme të afërt të jetë e gatshme të hyjë në tregun e ndërtimit dhe të ofrojë banim me kosto të përballueshme në qytetin e Prishtinës”, përfundon komunikata e tyre.

Të ngjashme