Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 41 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 33 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1,660,034 euro, transmeton Ekonomia Online.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve, sipas AKP-së, u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkaq është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë edhe për të gjithë qytetarët e interesuar që s’kanë qenë të pranishëm në sallë.
Ceremonia e hapjes së ofertave ka filluar në orën 13:30 dhe është mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku edhe është bërë dorëzimi i ofertave nga ofertuesit nga ora 11:00 deri në ora 13:00.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit.
Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.