Aleanca Kosova e Re (AKR) kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që t’ia lejojë numrin e komisionerëve sa i takon kësaj partie.
Sekretari i përgjithshëm i këtij subjekti, Vesel Makolli, në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, tha se KQZ-ja e ka shkurtuar listën e komisionerëve të AKR-së që do të marrin pjesë në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.
“Kjo është hera e dytë që po na bëhet padrejtësi”, tha Makollli, i cili tregoi se ngjashëm kishte ndodhur edhe në zgjedhjet nacionale të qershorit.
“Kërkojmë nga KQZ ja që t’i bëjnë zgjidhje këtij problemi dhe të tregojnë pse po e përgjysmon numrin e komisionerëve për të dytën herë me radhë”, tha Makolli, raportin Ekonomia Online.
“Kjo padrejtësi, ose mospërfaqësimi jonë adekuat në çdo vendvotim, na u është bërë edhe në zgjedhjet nacionale. Fatkeqësisht kjo na u përsërit edhe këto zgjedhje. Neve na u është thënë se në çdo vendvotim do të keni përfaqësim dhe lista që ne kemi dërguar është sakatosur”, u shpreh Makolli.
“Ne e kemi marr njoftimin vetëm atëherë kur ata i kanë njoftuar gjysmën e komisionerëve. Këtë padrejtësi ne e kemi pasur në dy komuna. Në komunën e Rahovecit ku janë 78 vendvotime; ne kemi dërguar 50 komisionerë dhe na kanë pranuar 48 dhe ata na i kanë orientuar në vende ku nuk është në përputhje me kërkesat e degës. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Prizren. Neve po na shtyn me mendu që dikush është i shqetësuar edhe në Prishtinë, sepse ne kemi një kandidat që është menaxher dhe po duket se dikush me qëllim po na e bënë një gjë të tillë”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i AKR-së.
Mirlinda Sopi, asambleiste e AKR-së dhe kandidate për Kuvendin Komunal të Prishtinës, tha se nga 228 komisionerë të premtuar për vendvotime në kryeqytet, KQZ-ja ka thirrur vetëm 159 prej tyre. “Kjo është bërë me tendencë. Dikujt po i pengon fushata e AKR-së”, tha ajo.
“Sot në Shtabin e AKR-së në Prishtinë kemi marrë thirrjen e fundit për komisionerë. AKR në bazë të një shkrese, na u është premtuar se në çdo vendvotim do të kemi komisionerë. Në bazë të kësaj, ne kemi zgjedhur 228 komisionerë, por sot janë thirrur vetëm 159 komisionerë”.
“Dikujt po i pengon fushata e AKR-së. Konsiderojmë se pamundësia për të pasur komisionerë në çdo vendvotim do të na dëmtojë shumë”,tha Sopi.
Aleanca Kosova e Re (AKR) i bën thirrje KQZ-së mos ta dëmtojë subjektin e tyre, por të bëjë zgjidhje. “Komisioneri është ushtari që do ta ruajë votën e sovranit”, u shpreh Mirlinda Sopi.