Aleanca Kosova e Re sot ka hapur fushatën elektorale për kryetar të Komunës së Drenasit, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i partisë, Behgjet Pacolli, si dhe strukturat e tjera drejtuese të AKR-së.
Qindra simpatizantë dhe përkrahës të Aleancës Kosova e Re (AKR) ishin mbledhur në Sallën e Kulturës në Drenas, për ta mirëpritur presidentin Pacolli dhe për të përkrahur kandidatin e partisë për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi.
Me këtë rast në fjalën e tij përshëndetëse presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka falënderuar të gjithë simpatizantët e pranishëm për përkrahjen e dhe besimin e tyre në suksesin e Aleancës Kosova e Re.
“Me ardhjen e AKR-së në Drenas, do të ndryshojë raporti mes politikanit dhe qytetarit”, ka thënë presidenti Pacolli. Ai ka shtuar se përveç qeverisjes me sinqeritet, transparencë dhe duar të pastra, për AKR-në qytetari është në rend të parë. Pacolli para qytetarëve të Drenasit ka thënë se është detyrë e çdo politikani që të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo anasjelltas.
Duke folur për sakrificat e shumta të qytetarëve të Kosovës, Pacolli ka thënë se Drenasi ka nevojë për një njeri që rri afër qytetarëve të vet dhe që nuk i braktis ata për të jetuar diku tjetër.
“Ky vend ka nevojë për punë dhe për njerëz të dëshmuar që kanë kontribuar së paku për familjet e tyre, dikush që e do punën dhe perspektiven, e ai njeri është Elmi Thaçi”, ka shtuar presidenti Pacolli.
Ndërsa kandidati i Aleancë Kosova e Re, për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi, në fjalën e tij para qytetarëve ka thënë se shpresa e vetme për Drenasin është AKR-ja dhe vizioni i presidentit Behgjet Pacolli për zhvillimin ekonomik të Drenicës.
Në hapjen solemnë të fushatës elektorale në Drenas, Thaçi ka thënë se AKR-ja do t’i realizojë të gjitha projektet e parapara për këtë Komunë. “Brenda 6 muajve këtu në zemër të Drenicës, AKR-ja dhe vizioni i saj ekonomik do t’i punësojë mbi 320 qytetarë në fabrikat e Krajkovës, ndërsa pagën e Kryetarit të Komunës do t’ia dhuroj 10 studentëve që i kanë kushtet e vështira ekonomike” ka pohuar Thaçi.
Ai ka kërkuar nga drenicakët që ta votojnë AKR-në dhe programin e saj ekonomik, i cili garanton mirëqenie dhe ngritje të standardit jetësor për qytetarët e Kosovës.
Tubimi më pas ka vazhduar me fjalime edhe nga Kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri si dhe koordinatorja e Forumit të Gruas në AKR, Mirlindë Gashi, të cilët kishin ardhur për ta përkrahur kandidatin e AKR-së për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi.