Edhe pse anëtarët e koalicionit PAN po deklarohen se janë në bisedime për sigurimin e numrave të nevojshëm për votimin e kryetarit të Kuvendit, AKR-ja e Behgjet Pacollit e cila është parë si “opsion”, i PAN-it, po deklarohet se nuk janë në bisedime me këtë koalicion.
Një marrëveshje mes LDK-së e LVV-së e përkrah edhe AKR-ja, për të cilën kohët e fundit flitej se do t’i bashkohet PAN-it.
Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re (AKR), ka thënë për “Zërin” se AKR-ja mbështet një marrëveshje mes LDK-së e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe se pas takimit të fundit gjërat kanë lëvizur në aspektin pozitiv.
Kurse për bashkëpunim të mundshëm me koalicionin PAN ai tha se nuk janë duke biseduar.
“Me PAN-in nuk jemi në bisedime. Jemi në bisedime me koalicionin ku jemi. Patëm një takim mes Isa Mustafes dhe Albin Kurtit dhe ne si AKR jemi për t’u vazhduar këto bisedime. Mirëpo, gjërat kanë lëvizur pak në aspektin pozitiv ndërmjet LDK-së e LVV-së. Pritet që të ketë diçka, pas një takimi të tillë duket sikur i kanë tejkaluar inatet qe kishin kohët e fundit. Besoj që shumë shpejt do të rezultojë me një marrëveshje, pasi një marrëveshje e tillë do ta krijonte shumicën. Ne si AKR e përkrahim, pasi kjo ka qenë edhe ideja e z. Pacollit që ta nxisë një marrëveshje të tillë”, ka thënë ai.