Aleanca Kosova e Re, në përmbyllje të procesit zgjedhor që ka për qëllim riorganizimin e partisë, me miratimin e të gjitha degëve dhe strukturës aktuale drejtuese, ka vendosur të shpall zgjedhjet për President të AKR-së, sipas mënyrës një anëtar /një votë.
Në njoftimin e AKR-së thuhet se për të realizuar zgjedhjen e Presidentit të AKR-së sipas parimit një anëtar/një votë, AKR ka miratuar udhëzuesin për zbatimin e proceduarave për zgjedhjen e Presidentit të partisë dhe ka vendosur që zgjedhjet për President të AKR-së, të mbahen me datën 20 shkurt 2017.
“Zgjedhjet do të organizohen në të gjitha degët e partisë dhe të drejtë vote kanë të gjithë anëtarët e AKR-së. Për t’i menaxhuar këto zgjedhje, AKR ka themeluar Komisionin Zgjedhor (KZ) në nivel qendror dhe është në proces të themelimit të Komisioneve Zgjedhore në Degët e AKR-së”, thuhet në njoftim.
“Komisioni Zgjedhor (KZ), konform kritereve të miratuara u kërkon Degëve të AKR-së që të paraqesin kandidaturat për President të partisë deri më datën 11 shkurt 2017, në përputhje me udhëzuesin për zbatimin e proceduarave për zgjedhjen e Presidentit të AKR-së”.
Për të mundësuar përfshirjen e diasporës Kosovare në këtë proces, do të aplikohet edhe votimi elektronik, për të cilin Komisioni Zgjedhor (KZ) do të jap informacione më të detajuara në ditët në vijim.
AKR fton anëtarësinë e saj që të bëhet pjesë e këtij procesi zgjedhor, përmes të cilit edhe njëherë do të dëshmohen vlerat tona liberale dhe do të forcohet parimi demokratik i qeverisjes.