Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka pritur në takim zyrtarë të Aleancës Liberal Demokratike të Evropës dhe deputetët e Parlamentit Evropian Ilhan Kyuchuk, Roman Jakiq dhe Andrew Burgess.
Në takim u bisedua për zhvillimet në AKR veçanërisht liberalizimin e vizave dhe perspektiven zhvillimore të Kosovës, punësimin dhe rritjen ekonomike. AKR-ja shihet nga këndvështrimi evropian si alternativa e vetme që mund të krijojë perspektivë për qytetarët e vet.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se me delegacionin e lartë nga ALDE-ja biseduan për krijimin e perspektivës për të rinjtë e Kosovës, lëvizjen e lirë të mallrave, e çështje tjera me rëndësi për vendin.
Pacolli tha se ky takim me delegacionin e ALD-së ka të bëjë edhe me integrimin e rajonit në BE.
Ai ka thënë se partia e tij ka planin zhvillimor, i cili do të krijonte rritje ekonomike prej 10 për qind duke punësuar 60 deri në 70 mijë veta në vit.
Ndërsa Eurodeputeti, Ilhan Kyuchk, tha se do të mbështesin AKR-në dhe se kanë biseduar për shumë çështje me rëndësi për vendin.
“Është e rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për Kosovën ky bashkëpunim dhe do të vazhdojmë ta mbështesim AKR-në. AKR është partnerë i vazhdueshëm i ALD-së, është parti që bashkëpunon me ne në krijimin e ideve për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa Roman Jakiq tha se kanë pasur një takim të rëndësishëm dhe rezultatet e tij do të jenë në krijimin e ideve të përbashkëta për çdo gjë që i përket vendit dhe të rinjve të Kosovës.