Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur, sonte në orët e mbrëmjes, në rrugën Gjakovë-Klinë, përkatësisht në fshatin Meqe të Gjakovës.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjoka, ka konfirmuar për Ekonomia Online se një fëmijë rreth 5 vjeç ka mbetur i vdekur në vend të ngjarjes. Kurse të lënduar janë nëntë persona, përfshirë disa fëmijë.
“Para 30 minutave ka ndodhur një aksident në fshatin Meqe të Gjakovës ndërmjet dy veturave dhe një kombi-busi. Janë të lënduar 9 persona dhe një fëmijë është i vdekur”, tha Gjoka.
“Të gjithë jemi në vendin e ngjarjes duke u munduar të bëjmë më të mirën”, shtoi ai.
Nga fotografitë që i ka dërguar një lexues i Ekonomia Online, shihen veturat e dëmtuara shumë, si dhe persona të lënduar.
Fëmijët dhe personat e ndjeshëm sugjerohet mos t’i shikojnë pamjet e rënda.
Disa fotografi të dërguara, për shkak të pamjeve të rënda, redaksia vendosi mos t’i botojë.