Policia angleze ka njoftuar se një aksident i rëndë ka ndodhur të shtunën pasi një autobus me dy kate është rrotulluar në një fushë dhe i ka lënë të ngujuar rreth 20 udhëtarë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 11 sipas kohës lokale në rrugën A385 në Devon.
Policia njoftoi se një person është lënduar rëndë dhe mbi 10 të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta.
Disa udhëtarë u nxorën vetëm me ndihmën e zjarrfikësve, të cilët përdorën pajisje prerëse për largimin e copave të metalta të autobusit.
Një zëdhënës i policisë tha: “Një autobus me dy kate është rrotulluar dhe një numër udhëtarësh kanë pësuar lëndime. Besojmë se një person është lënduar rëndë”.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shumë policë dhe katër auto-ambulanca.
Zyrtarët policorë kanë thënë se rruga ku ndodhi aksidenti do të mbetet e bllokuar dhe i kanë këshilluar vozitësit që ta shmangin atë për të mos krijuar tollovi në trafik.
Në anën tjetër, kompania që e kishte në pronësi autobusin e aksidentuar tha se do të marrë pjesë në hetimin e shkaktarëve të aksidentit dhe se siguria e udhëtarëve është prioritet i saj, shkruan “Daily Mail”.